Gjykimi ndaj dhjetë ish-inspektorëve të Prishtinës

Në gjykimin ndaj dhjetë ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e sotme është dëgjuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Kujtojmë se në seancën e kaluar trupi gjykues vendosi ta rihapë edhe një shqyrtimit gjyqësor, me arsyetimin që pala e dëmtuar t’i sjellë prova gjykatës që objektet që janë ndërtuar e që janë objekt i akuzës a janë legalizuar apo është lëshuar leje për ndërtimin e tyre.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Jeton Idrizi, sot deklaroi se e dëmtuara Komuna e Prishtinës ka arritur që nga 36 objektet që janë objekt i kësaj aktakuze, 17 prej tyre janë pajisur me leje ndërtimi, 10 prej tyre janë në procedurë të legalizimit ndërsa 9 prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet për legalizim.

“Fillimisht e dëmtuar komuna e Prishtinës ka arritur që nga 36 dosje e theksuar në aktakuzë për secilën nga to t`i pasqyroj gjykatës gjendjen aktuale, në ndërkohe 17 prej tyre janë pajisu me leje ndërtimi, në ndërkohë 10 objekte të tjera janë në procedurë të legalizimit, kurse 9 objektet nuk kanë aplikuar për legalizim ndërsa për leje ndërtimit nuk i kanë plotësuar kushtet për tu pajisur me leje ndërtimi”, tha avokati Idrizi.

Më pas edhe kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, i njoftoi palët se gjykata me datën 29 shtator ka pranuar një parashtresë nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar në lidhje me gjendjen faktike të këtyre objekteve.

Sa i përket kësaj parashtrese, pati kundërshtime nga ana e mbrojtësve.

Avokati Ramiz Krasniqi, i cili e mbron të akuzuarin Ismet Halitit, tha se Komuna nuk është e dëmtuar nga personat e akuzuar.

“E dëmtuara kërkon pagesën e taksës dhe kamatës  dhe kamat vonesës e të gjitha këto kërkesa janë të orientuar ndaj subjekteve që janë ndërmarr me ndërtimtari. Asnjë nga të akuzuarit nuk është i obliguar të paguaj as taksa as kamat, as kamat vonesë dhe nga kjo del se Komuna nuk është e dëmtuar nga personat e akuzuar”, tha avokati Krasniqi.

Kurse prokurorja speciale Drita Hajdari, tha se prokuroria i akuzon këta persona për mos përmbushjen e detyrës zyrtare, të cilët në rolin e inspeksionit kanë mundur sipas saj ta parandalojnë ndërtimet pa leje dhe rrënimin e tyre.

“Në këto 36 objektet të trajtuar nga prokuroria ka ndodhur që objektet kanë përfunduar ose kanë qenë në fazën e avancuar të ndërtimit ka disa katesh, e kategoria është tejkalimi i lejeve të ndërtimit, e tash çka po ndodh, prokuroria i akuzon këta të akuzuar këtu në sallë për mos përmbushjen e detyrave të zyrtarit sepse ky inspeksion është themeluar dhe ekziston për me parandalua ndërtimet pa leje dhe mi rrënu këto ndërtime pa leje”, tha Hajdari.

Më pas gjykatësi Beqir Kalludra, deklaroi se në seancën e radhës do të ftohen personat kompetent që kanë vepruar në këtë çështje.

“Sipas detyrës zyrtare do të kërkoj nga drejtoria e urbanizmit që për seancën e radhës të ftohen persona kompetent që kanë vepruar në këtë çështje për të na sqaruar rrethanat se objekte që nuk janë pajisur me leje, a kanë paraqitur kërkesë për tu pajisur me leje, apo objektet tjera që janë në procedurë te legalizimit”, tha gjykatësi Kalludra.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Vehbi Abdullahu, avokati Ali Beka i propozoi trupit gjykues që për seancën e radhës të ftohet edhe një përfaqësues nga drejtoria e inspeksionit, në mënyrë që të sqarohen rrethanat se si është vepruar me vendimet që i kanë marrë të akuzuarit për rrënimin e atyre objekteve.

Më pas ky propozim u aprovua nga trupi gjykues dhe seanca e radhës është caktuar për datën  3 nëntor.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018 tashmë dhjetë ish-inspektorët e komunës së Prishtinë ishin shpallur fajtor nën akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ishin dënuar me rreth 20 vjet burgim. Disa prej tyre ishin dënuar edhe me gjobë.

Pas ankesave të mbrojtësve të të pandehurve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e Gjykatës themelore të Prishtinës, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ku të lartcekurit nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

Me këtë prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.