Pallati i Drejtësisë

Shtyhet seanca në betejën gjyqësore mes ish-shefit të AKI-së kundër ‘Insajder’ e ‘Telegraf’

Sot ishte paraparë të zhvillohej seanca përgatitore në Gjykatën e Prishtinës për padinë e ushtruar nga ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Agron Selimaj kundër Gazetës Online Insajderi dhe portalit Telegrafi, por ajo nuk nisi fare.

Shkak për padinë ishte bërë shkrimi me titull “Hetime në AKI – dyshime për korrupsion, shantazh, përgjime të paligjshme, ushtrim ndikim” nën autorësinë e Vehbi Kajtazit.

Por seanca është shtyrë dhe është përcaktuar të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.

Vendimin për shtyrje e morri gjykatësi i rastit Shefki Berisha për shkak të mungesës së përfaqësuesit nga ana e portalit Telegrafit.

Ai tregoi se ftesa për seanca nuk ka mundur t’i dërgohet kësaj pale të paditur për shkak se të njëjtës nuk ka qenë e mundshme të ju lokalizohet adresa dhe gjithashtu gjykata nuk ka arritur ta kontaktoj përmes telefonit.

E të pranishëm ishin avokati Adnan Pacolli i cili përfaqësonte paditësin Agron Selimaj si dhe bashkëpunëtori profesional Lekë Morina i cili përfaqësonte palën e paditur portalin Insajderi.

Agron Selimaj i ka paditur në dhjetor të vitit 2018 portalet në fjalë pasi sipas padisë me rastin e publikimit të shkrimit të lartcekur me datë 9 Shkurt 2018 të paditurat nuk kanë dhe as që kanë provuar të marrin komentet dhe përgjigjet e mundshme të paditësit para se ta publikojnë, ato që paditësi i ka quajtur, pretendimet shpifëse dhe fyese. Mosdhënia e mundësisë për përgjigje, sipas ish-shefit të AKI-së, i ka shkaktuar dëm të madh reputacionit dhe nderit.

Paditësi ka konsideruar se portalet në fjalë kanë pasur për qëllim denigrimin dhe hakmarrjen ndaj paditësit për shkak të punës së kryer paraprakisht.

Shkrimi i publikuar 6 vite më parë u bë në kohën kur Agron Selimaj në cilësinë e ish-shefit të AKI-së, së bashku me të tjerë persona të strukturës udhëheqëse të AKI-së, përkatësisht: Shkëlzen Sopjanin, Latif Merovcin, Gazmend Isufin, Selami Hashanin po hetoheshin nga prokurori Agron Gashi mes të tjerash edhe për një tender të dyshimtë për firmën e djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Paditësi ka theksuar se të paditur kanë shpifur se kinse ai ka shantazhuar kallëzuesin penal për marrëdhënie intime me një nga vartëset e tij.

Ky kallëzimi penal ndaj Agron Selimaj dhe zyrtarëve tjerë të AKI-së u hodhë poshtë nga Prokuroria në Prishtinë me arsyetimin se nuk u gjetën elemente të veprës penale.

Në shkrim përmendet ndër të tjera se ishte katërfishuar çmimi i riparimit të veturës BMW në pronësi të AKI-së e dërguar për servisimin në firmën e djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Në përgjigjen në padi të Insajderit padia është konsideruar tërësisht e pabazuar kjo për shkak se sipas shkresës shkrimi është i bazuar në dokumente të institucioneve publike, autenticiteti i të cilave nuk vihet në dyshim. Më tuje ata kanë argumentuar se gjithashtu janë respektuar në plotë procedurat për për raportimin e të vërtetës dhe dhënies së mundësisë së personave për reagim dhe plotësim të shkrimit.

Edhe i padituri i dytë portali Telegrafi në përgjigje ndaj propozimit për caktim të masës së sigurisë, si dhe ne seancën dëgjimore ka kundërshtuar si të pabazuar propozimin për masë duke theksuar se përmbajtja e artikujve të publikuar nuk është shpifëse, e njëjta bazohet në thënie të faktueshme dhe po ashtu shpalos hetimin e prokurorit kompetent.

Paditësi përmes padisë po kërkon që portalet të shpallen përgjegjëse për shpifje dhe fyerje; të përgënjeshtrojnë shkrimin e lartcekur – e me këtë rast të kërkojnë edhe falje publike; ta mbajnë lajmin e përgënjeshtrimit të artikullit të publikuar për aq kohë dhe në hapësirën e njëjta sa është mbajtur artikulli, të cilin Agron Selimaj, e quan shpifje dhe fyerje; si dhe, në emër të dëmit jo material të paguajnë edhe një shumë monetare e cila pritet të caktohet pas precizimit të padisë ku do të përfshihet kamata ligjore 8 përqind të llogaritur nga data e publikimit.

Bashkë me padinë Agron Selimaj kishte dorëzuar në gjykatë edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në të cilën kishte kërkuar nga të paditurat që ta heqin lajmin nga portalet e tyre dhe të gjitha rrjetet e mundshme deri sa të vendoset në mënyrë meritore nga gjykata.

Por edhe themelorja edhe apeli në vitin 2021 e kishin refuzuar një kërkesë të tillë duke e lënë shkrimin në media, i cili është i qasshëm për publikun edhe sot.

Para se t’i drejtohet gjykatës në Mars të 2018-tës iu ishte drejtuar me ankesë lidhur me të njëjtit shkrim Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili nuk e kishte miratuar ankesën në fjalë.