Foto: Kallxo.com

Shtyhet seanca e dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit për mashtrim me viza pune

Në gjykimin e Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen për veprat penale – shpëlarje parash, mashtrim, dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve, i akuzuari ka nisur ta japë mbrojtjen e tij.

Rasti ka të bëjë me mashtrimin e qindra qytetarëve me viza pune të Gjermanisë.

Mirëpo, që në fillim të dhënies së mbrojtjes, avokati i të akuzuarit, Durim Nevzati, kërkoi nga trupi gjykues i Gjykatës së Prizrenit të shtyhej seanca në mënyrë që ai dhe i mbrojturi i tij të përgatiten për të dhënë mbrojtjen.

Kërkesën e avokatit nuk e përkrahu prokurori që përfaqëson aktakuzën, Afrim Shefkiu, i cili tha se kjo kërkesë ka për qëllim zvarritjen e procedurës.

Por, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e avokatit Nevzati, dhe ka caktuar datat 19, 20 dhe 23 dhjetor  për seancat e ardhshme.

Ky proces gjyqësor është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë që ka kaluar një vit nga nga fillimi i procesit gjyqësor, tashmë janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria dhe mbrojtësit, si dhe ekspertët financiarë dhe procesi ka arritur në fazën përfundimtare.

Në muajin mars të këtij viti, Prokuroria Speciale dhe mbrojtësit e të akuzuarve kishin dështuar të arrijnë një marrëveshje për pranim të fajësisë nga të pandehurit.

Gjykimi për vizat gjermane, të akuzuarit nuk pranojnë t’ua kthejnë paratë të mashtruarve

Kjo për shkak se prokurori kishte ngulur këmbë se kusht i panegociueshëm për arritjen e marrëveshjes është kompensimi i të dëmtuarve.

Por, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Durim Nevzati e Miftar Qelaj, nuk ishin pajtuar me prokurorin.

Sipas tyre, Prokuroria nuk ishte treguar fleksibile në negocimin për marrëveshje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, kanë mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke marrë prej tyre nga 2.500-3.000 euro.

Sipas Prokurorisë, numri i të dëmtuarve është  489.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme si vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme, shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.