Rrëfimi para gjykatës i pronarit që ndërtoi pa leje në Prizren

Ish inspektori i ndërtimit Nexhmedin Musliu, i akuzuar nga Prokuroria e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është ballafaquar sot me dëshmitarin Tyrkan Alibajro.

Nexhmedin Musliu nga Prokuroria po akuzohet për dy vepra penale. Musliu, dyshohet se nuk kishte ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e dy objekteve në Prizren, por ishte mjaftuar vetëm me vërejtje dhe  inspektim formal.

Dëshmitari Alibajro, përpara trupit gjykues, lidhur me ndërtimin e objektit, deklaroi se ndërtimi i objektit ka përfunduar para rreth 3-4 viteve, nuk është pajisur ende me leje për ndërtim, sepse babai i tij ka qenë pronari, dhe në atë kohë babai i dëshmitarit ka qenë i sëmurë si dhe është në karrocë, dhe se kjo ka qenë arsyeja që kanë mbetur prapa pa dokumente.

Prokurorja  Ervehe Gashi, lidhur me këtë e pyeti dëshmitarin se a ka ardhë inspekcioni për të kontrolluar ndërtimin e objektit.

“Me sa e di po, ka qenë në fillim të ndërtimit dhe i kanë ndaluar punimet”, tha dëshmitari Alibajro.

Në pyetjen e prokurores se pas ndalimit të punimeve kush i kishte dhënë leje për t`i vazhduar punimet, dëshmitari Alibajro tha se: “Kërkush, na vet, mjeshtrit pasi që u sëmurë baba, kanë vazhduar dhe e kanë përfunduar”.

Ndërkaq, në fund të shqyrtimit, përfaqësuesi i Komunës, Blerim Mazreku,  theksoi se me qëllim të precizimit të lartësisë së dëmit, nga organet kompetente të Komunës së Prizreni, ka kërkuar që të bëhet llogaritja e taksave komunale duke u mbështetur edhe në deklarimet e dëshmitarit Tyrkan Alibajro, këto taksa nuk janë paguar asnjëherë.

Nga gjykata, u aprovua propozimi i përfaqësuesit të Komunës dhe obligohet që deri me 1 shtator 2021 ta parashtrojë me shkrim lartësinë e dëmit, në të kundërt do të konsiderohet që nuk ka dëm.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 9 shtator 2021 në ora 10:00

Kujtojmë se, sipas aktakuzës të ngritur me 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu, në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rrahmanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ish inspektori Musliu, po akuzohet nga Prokuroria edhe për disa raste të tjera që kanë të bëjnë me veprën e keqpërdorimit zyrtar.

Lidhur me këtë, Kallxo.com ka raportuar më herët.