Autoambulanca para Gjykatës së Ferizajt - 26.12.2019

Rrahja brenda Gjykatës në Ferizaj, Policia jep detaje

13 persona janë shoqëruar në policinë e Ferizajt, pasi të njëjtit dyshohen se janë përfshirë në rrahje gjatë seancës për rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

KALLXO.com raportoi sot gjatë ditës për rrahjen brenda gjykatores ku po mbahej seanca ndaj të akuzuarve Albert Ramadani, i akuzuar për vrasjen e Besart Hasanit, Artan, Argjend dhe Fadil Ramadani të akuzuar nga prokuroria për pjesëmarrje në rrahje, dhe Driton Krasniqit i akuzuar për mashtrim.

Vrasja në Ferizaj, tensione mes familjarëve dhe të akuzuarve në gjykatë

“Me të marrë lajmin policia e Ferizajt ka reaguar duke shkuar në vend ngjarje, deri tani janë ndaluar 13 persona prej të cilëve 7 prej tyre po intervistohen në cilësinë e të dyshuarve dhe 6 të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Agim Gashi për KALLXO.com.

“Pas intervistimit Policia e Kosovës së bashku me prokurorin e shtetit do marrin veprimet e nevojshme më tutje”, shtoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizaj , Agim Gashi.