FOTO KALLXO

Refuzohet marrëveshja e panelit hetimor për kthimin në punë të gjyqtares Florije Zatriqi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga paneli hetimor me gjyqtaren Florije Zatriqi me të cilën pritej që e njëjta të rikthehej në vendin e punës.

Vendimi për refuzimin e marrëveshjes vullnetare të Zatriqit me panelin hetimor u mor në mbledhjen e  284 të KGJK-së.

“KGJK shqyrtoi raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/.nr.15/21, me ç ‘rast Këshilli refuzoi marrëveshjen vullnetare për shkeljen e supozuar”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Mbrëmë KALLXO.com raportoi për rikthimin e mundshëm në punë të gjyqtares për të mitur e cila aktin e dhunimit të 14 vjeçare e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim.

Burime të KALLXO.com brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishin bërë të ditur se Zatriqi ka arritur marrëveshje me panelin hetimor që të rikthehet në vendin e punës dhe ndaj saj të shqiptohet masa disiplinore e degradimit në pozitë dhe ulja e pagës.

Për ta konfirmuar këtë marrëveshje KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me gjyqtaren Zatriqi, por ajo porsa e ka dëgjuar pyetjen e ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e saj, Salih Mekaj, i cili pranoi se është draftuar një marrëveshje mirëpo ende nuk është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor.

“Një marrëveshje është por përmbajtjen nuk mund ta jap pa u konslltu me të, dhe ajo marrëveshje nuk është konfirmu prej KGJK-se akoma andaj është një projekt-marrëveshje, nuk e di se si mund të jetë epilogu. Unë kam marrë pjesë në negociata mirëpo procedura është ndalë me atë marrëveshje, mirëpo ende nuk është definitive pa u konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, tha avokati Mekaj.

Kallxo.com ka provuar të konfirmoj marrëveshjen edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës mirëpo të njëjtit kanë deklaruar se për rastin nuk është vendosur akoma.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK),  ende nuk ka vendosur për çështjen në fjalë, përderisa nuk vendoset në Këshill, nuk mund të japim informacione”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Paralajmërimet për kthimin në punë të gjyqtares Zatriqi vijnë pikërisht në kohën kur sistemi i drejtësisë po përballët me kritika të ashpra për shqiptimin e masave të lehta disiplinore.

Së fundmi, një gjë e tillë u përmend në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i konsideroi të pamjaftueshme masat e shqiptuara nga KGJK gjatë vitit 2021.

“Këshilli Gjyqësor lëshoi vërejtje jopublike me shkrim ose ulje pagash për katër gjyqtarë, edhe pse këto sanksione u konsideruan të pamjaftueshme që të parandalojnë sjelljen e keqe në të ardhmen”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në ndërkohë, vetë të dhënat e publikuara nga institucionet e sistemit të drejtësisë për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tregojnë për një qasje tejet të butë të sistemit kundër zyrtarëve të saj.

Numëri i ankesave të refuzuara të cilat janë paraqitur kundër gjyqtarëve dhe prokuroreve pa nisur hetime nga panelet e këshillave është jashtëzakonisht i lartë krahasuar me rastet që janë iniciuar hetime.

Sipas të dhënave të KGJK-së gjatë vitit 2021 janë pranuar 121 ankesa kundër gjyqtarëve ku mbi 90% e tyre janë hedhur poshtë qysh në fazën e parë, pra pa kaluar fare në panelet hetimore të KGJK-së. Ndërsa nga këto ankesave në shkelje kanë rezultuar vetëm 9 raste ku për to janë shqiptuar 7 vërejtje publike ose jopublike, një ndëshkim me pagë dhe një degradim në pozitë.

Rezultate të ngjashme janë edhe në Këshillin Prokurorial pasi prej 95 ankesave të cilat ishin paraqitur ndaj prokurorëve, 81 prej tyre ishin hedhur poshtë qysh në fazën e parë. Ndërsa vetëm në një rast është hasur shkelje dhe është shqiptuar vërejtje jo publike për prokuror.

Pra, sipas këtyre të dhënave, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kemi asnjë rast kur ndonjë zyrtar është larguar nga puna për shkelje të rëndë disiplinore. Përjashtim bën rasti i ish-anëtarit të KGJK-së, Driton Muharremi, i cili kishte dhënë dorëheqje pas degradimit.

Suspendimi i Florije Zatriqit

Gjykatësja Florije Zatriqi ishte suspenduar nga KGJK pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin e aktit të dhunimit ndaj një të miture.

Suspendimi i saj ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila e kishte refuzuar ankesën e gjyqtares ndaj vendimit të KGJK-së.

Zatriqi ishte suspenduar pasi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Gjyqtarja që e dënoi me 8 muaj burgim dhunimin e të miturës pritet të kthehet përsëri në punë