FOTO KALLXO

Gjyqtarja që e dënoi me 8 muaj burgim dhunimin e të miturës pritet të kthehet përsëri në punë

Gjyqtarja e Departamentit për të Mitur në Pejë, Florije Zatriqi, e cila muaj më parë ishte suspenduar nga detyra për shkak të një dënimi kontrovers mbi një akt dhunimi, mund të rikthehet përsëri në punë.

Burime të KALLXO.com brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës bëjnë të ditur se Zatriqi ka arritur marrëveshje me panelin hetimor që të rikthehet në vendin e punës dhe ndaj saj të shqiptohet masa disiplinore e degradimit në pozitë dhe ulja e pagës.

Për ta konfirmuar këtë marrëveshje KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me gjyqtaren Zatriqi, por ajo porsa e ka dëgjuar pyetjen e ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e saj, Salih Mekaj, i cili pranoi se është draftuar një marrëveshje mirëpo ende nuk është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor.

“Një marrëveshje është por përmbajtjen nuk mund ta jap pa u konslltu me të, dhe ajo marrëveshje nuk është konfirmu prej KGJK-se akoma andaj është një projekt-marrëveshje, nuk e di se si mund të jetë epilogu. Unë kam marrë pjesë në negociata mirëpo procedura është ndalë me atë marrëveshje mirëpo ende nuk është definitive pa u konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, tha avokati Mekaj.

Kallxo.com ka provuar të konfirmojë marrëveshjen edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës mirëpo të njëjtit kanë deklaruar se për rastin nuk është vendosur akoma.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK),  ende nuk ka vendosur për çështjen në fjalë, përderisa nuk vendoset në Këshill, nuk mund të japim informacione”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

Paralajmërimet për kthimin në punë të gjyqtares Zatriqi vijnë pikërisht në kohën kur sistemi i drejtësisë po  përballët me kritika të ashpra për shqiptimin e masave të lehta disiplinore.

Së fundmi, një gjë e tillë u përmend në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili i konsideroi të pamjaftueshme masat e shqiptuara nga KGJK gjatë vitit 2021.

“Këshilli Gjyqësor lëshoi vërejtje jopublike me shkrim ose ulje pagash për katër gjyqtarë, edhe pse këto sanksione u konsideruan të pamjaftueshme që të parandalojnë sjelljen e keqe në të ardhmen”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në ndërkohë, vetë të dhënat e publikuara nga institucionet e sistemit të drejtësisë për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tregojnë për një qasje tejet të butë të sistemit kundër zyrtarëve të saj.

Numër i ankesave të refuzuara të cilat janë paraqitur kundër gjyqtarëve dhe prokuroreve pa nisur hetime nga panelet e këshillave është jashtëzakonisht i lartë krahasuar me rastet që janë iniciuar hetime.

Sipas të dhënave të KGJK-së gjatë vitit 2021 janë pranuar 121 ankesa kundër gjyqtarëve ku mbi 90% e tyre janë hedhur poshtë qysh në fazën e parë, pra pa kaluar fare në panelet hetimore të KGJK-së. Ndërsa nga këto ankesave në shkelje kanë rezultuar vetëm 9 raste ku për to janë shqiptuar 7 vërejtje publike ose jopublike, një ndëshkim me pagë dhe një degradim në pozitë.

Rezultate të ngjashme janë edhe në Këshillin Prokurorial pasi prej 95 ankesave të cilat ishin paraqitur ndaj prokurorëve, 81 prej tyre ishin hedhur poshtë qysh në fazën e parë. Ndërsa vetëm në një rast është hasur shkelje dhe është shqiptuar vërejtje jo publike për prokuror.

Pra, sipas këtyre të dhënave, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kemi asnjë rast kur ndonjë zyrtar është larguar nga puna për shkelje të rëndë disiplinore. Përjashtim bën rasti i ish-anëtarit të KGJK-së, Driton Muharremi, i cili kishte dhënë dorëheqje pas degradimit.

Suspendimi i Florije Zatriqit

Gjykatësja Florije Zatriqi ishte suspenduar nga KGJK pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin e aktit të dhunimit ndaj një të miture.

Suspendimi i saj ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, e cila e kishte refuzuar ankesën e gjyqtares ndaj vendimit të KGJK-së.

Zatriqi ishte suspenduar pasi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Shkeljet në vendimin e gjyqtares të cilat ishin raportuar nga KALLXO.com

Si u caktua seanca gjyqësore në korrik të këtij viti

Në fillim të muajit korrik të vitit 2021, gjyqtarja Florije Zatriqi e caktoj seancën e rishqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarit për përdhunimin e të miturës 15 vjeçare. Seanca për çudi u caktua me kërkesën e avokatit të të akuzuarit, të paktën kështu përshkruhet të ketë ndodhur në aktgjykimin e nxjerrë në muajin korrik.

“Gjykata me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit e caktoi dhe mbajti seancën e rishqyrtimit gjyqësor me datë 12.07.2021, në prezencë të prokurorit të shtetit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, në seancë nuk u prezantua e dëmtuara, e as përfaqësuesi i saj”, thuhet në aktgjykim.

Vendosja nga një gjyqtare dhe jo nga trupi gjykues prej tre gjyqtarëve

Dyshime në këtë rast paraqet fakti se për këtë çështje ka vendosur gjyqtarja e vetme, Florije Zatriqi, në mënyrë individuale dhe jo trupi gjykues siç parashihet me Kodin e ri të Drejtësisë për të Mitur.

Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, për rastet kur gjykohet për vepra penale të cilat janë të dënueshme mbi 10 vite burgim duhet të vendosë trupi gjykues i përbërë prej 3 gjyqtarëve profesionist dhe jo një gjyqtar i vetëm gjykues.

Neni 48 i këtij Kodi ka përcaktuar se kur mundet një gjyqtar i vetëm të vendos për rastet penale dhe kur duhet të vendoset nga trupi gjykues.

Foto: Neni 48 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur

Pra, gjyqtarja Florije Zatriqi e ka anashkaluar Kodin e Drejtësisë për të Mitur dhe për këtë çështje ka vendosur vetë si gjyqtare e vetme gjykuese. Edhe po të zbatohej vetëm Kodi i Procedurës Penale në këtë rast përsëri çështja do duhej të gjykohej nga trupi gjykues pasi dhunimi bën pjesë në kategorinë e krimeve të rënda penale. Vendosja e këtij rasti nga gjyqtarja në mënyrë individuale është në kundërshtim me Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

Për të kuptuar arsyet se pse nuk është vendosur nga trupi gjykues, i jemi drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë. Mirëpo, nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi

Dënimi në kundërshtim me Ligjin  

Dispozitat ligjore mbi të cilat është thirrur gjyqtarja Florije Zatriqi kur ka vendosur ta dënoj me 8 muaj të akuzuarin për dhunim nuk lejojnë që të shqiptohet një dënim më pak se me 3 vite burgim.

Gjyqtarja është bazuar në Kodin e ri penal, përkatësisht nenet 70, 71 kur ka ulur dënimin në 8 muaj, ndonëse vepra penale me të cilën ngarkohet i akuzuari bazohet në Kodin e përkohshëm penal. Pra, në këtë rast janë zbatuar dy kode të ndryshme penale në një çështje të njëjtë.

Këtë veprim gjyqtarja Zatriqi e ndërmori duke u bazuar në Kodin e ri penal i cili në një dispozitë më poshtë, përkatësisht nenin 72 nuk e lejon që dënimi në ato raste të shqiptohet në më pak se 3 vite.

Foto: Neni 72 i Kodit Penal

Pra, në kundërshtim me Kodin penal, gjykatësja Florije Zatriqi ka shqiptuar dënim prej 8 muajve e 8 ditëve burgim e që në fund rezulton se pikërisht kaq ditë i akuzuari i ka mbajtur sa ishte në paraburgim.

Ndërkaq mos apelimi i këtij vendimi vetëm sa e rëndon edhe më shumë situatën kur merret parasysh se një prokurore me përvojë 20 vjeçare në sistem do duhej ta dinte se një dënim i tillë është në kundërshtim me Ligjin.

Mbi të gjitha, gjyqtarja e rastit ka pasur para vetës një vendim të Gjykatës së Apelit i cili për shkak të mos arsyetimit të dënimit me 2 vite burgim e kishte prishur rastin.

Shkalla e dytë kishte konstatuar se dënimi i ulët prej 2 viteve i shqiptuar nga Gjykata e Pejës ishte i pa arsyetuar dhe për këto arsye kishte kërkuar që e njëjta gjykatë të vendoste edhe një herë për rastin e përdhinimit të një 15 vjeçareje.

Konstatimet skandaloze të matjes së rrethanave lehtësuese dhe rënduese

Konstatimi se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë asnjë rrethanë rënduese në një vepër penale përdhunimi është një tjetër aspekt i cili duhet patjetër të analizohet dhe hetohet. Gjyqtarët kanë në dispozicion një udhëzues të Gjykatës Supreme të Kosovës për të vlerësuar rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese.

Ky udhëzues tregon se si duhet të nxirren rrethanat rënduese në një çështje penale dhe si ato lehtësuese. Udhëzuesi i Supremes nuk është obligativ, mirëpo vlerësimi i këtyre rrethanave është obligim ligjor i çdo gjyqtari para se të përcaktoj se sa vite burgim do t`i shqiptoj në një rast konkret penal pasi të konstatoj fajësinë e të akuzuarit.

Në bazë të udhëzuesit të Gjykatës Supreme në një rast të tillë përdhunimi kanë mund të merren parasysh së paku tetë rrethana rënduese e të cilat janë: Niveli i lartë i pjesëmarrjes së kryerësit, roli i tij, shkalla e lartë e dashjes, prania e kanosjes me dhunë, fakti se viktima ka qenë posaçërisht e pambrojtur apo e ndjeshme, mosha e viktimës, shkalla e dëmit të shkaktuar dhe efekti psikologjik mbi viktimën apo familjen e viktimës. Të gjitha këto rrethana janë të përshkruara në Udhëzuesin e Supremes, mirëpo asnjërën nga to nuk e ka vlerësuar si rënduese në rastin konkret gjyqtarja Zatriqi.

Ajo ka vlerësuar se në atë rast kanë ekzistuar vetëm rrethana lehtësuese dhe si të tilla i ka marrë: Sjelljen korrekte, shprehjen e keqardhjes, pranimin e fajësisë, mos lëndimin e viktimës gjatë aktit, të kaluarën e pastër të të akuzuarit, moshën e tij, papjekurinë dhe faktin se ka kaluar kohë e gjatë prej kur kishte ndodhur rasti dhe se tani është prind.

Ndonëse këto rrethana lehtësuese u përmenden në vendim, gjyqtarja nuk u lodh për arsyetimin dhe ndërlidhjen e këtyre rrethanave me provat konkrete të rastit.

Ndërkaq sipas Udhëzuesit të Supremes disa prej këtyre rrethanave lehtësuese që janë marrë për bazë nuk konsiderohen fare si rrethana lehtësuese.

Interesant është edhe fakti se në aktgjykim përshkruhet se prokurorja e rastit Lirije Morina nuk ka kërkuar që të merren parasysh asnjë rrethanë rënduese, mirëpo e njëjta ka kërkuar që parasysh të merren vetëm ato lehtësuese.

Domosdoshmëria e hetimit penal në vendimin për përdhunuesin e 15 vjeçares

www.kallxo.com