Impakti i KALLXO.com - Gjykata e Pejës konfirmon nisjen e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Florije Zatriqi

Ditën e sotme KALLXO.com ka pranuar kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Pejës, Armend Berisha për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj gjyqtares Florije Zatriqi.

Kërkesa për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares erdhi pasi që zyra ligjore e KALLXO.com parashtroi ankesë disiplinore ndaj gjyqtares në fjalë.

KALLXO.com kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Florije Zatriqi, e cila kishte gjykuar rastin ndaj të akuzuarit për dhunumin seksual të një vajze 15 vjeçare në Gjakovë.

Ditë më parë KALLXO raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Për këtë rast ka pasur reagime nga  kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i gjykatës supreme, Enver Peci.

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin prej 8 muajsh për dhunimin e të miturës nga Gjakova, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi ta suspendoj nga puna gjyqtaren e rastit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga KGJK.

Suspendimi i gjyqtares Florije Zatriqi është bërë deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor.

Nga hulumtimi i KALLXO.com është konstatuar se përpos dënimit të pazakontë, i pazakontë ka qenë edhe vendimi mbi arsyetimin e dënimit pasi që gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21-vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bën fakti se tashmë i dënuari P.K nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.

Skandal – Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15 vjeçares