Foto-ilustrim

Punëtori i Stacionit të Autobusëve pranon fajin për mbi 12 mijë eurot e përvetësuara

Gati katër vjet pas ngritjes së aktakuzës, një punëtor i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë e pranoi fajësinë në akuzën për përvetësim të mbi 12 mijë eurove biletave të shitura nga kjo ndërmarrje.

Biletari i “Stacionit të Autobusëve”, Orhan Agushi, me nofkën “Erolli”, 4 vite pas ngritjes së aktakuzës u deklarua se e pranon fajin ndërsa gjykatësi Isuf Makolli e aprovoi këtë pranim ndërsa caktoi 13 janarin për shpalljen e vendimit.

Aktakuza thotë se Orhan Agushi duke qenë person zyrtar biletar në NPL “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte përvetësuar parat që i ishin besuar si biletar prej të cilave 390 euro i kishte dorëzuar në arkë ndërsa shumën prej 12,399 euro i kishte përvetësuar.

Pasi ishte filluar procedura displinore, i akuzuari Agushi e kishte kthyer shumën që kishte përvetësuar.

Kur u ballafaqua me akuzën të premten në gjykatën e Prishtinës, Agushi e pranoi fajësinë.

“Po e pranoj, ashtu qysh po thotë prokurori është”, tha ai.

Avokatja Saranda Keqekolla, mbrojtëse e të akuzuarit Agushi deklaroi se i mbrojturi i saj e pranon fajësinë ndonëse atij i ishin vjedhur paratë, por pasi i akuzuari e pranoi fajin ajo i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin dhe kjo atij t’i llogaritet si rrethanë lehtësuese kur të merret vendimi.

Ndërsa prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, vërejti një paqartësi në deklarimin e të akuzuarit.

“Nëse i janë vjedhur paratë s’kemi të bëjmë me pranim fajësie por meqë i akuzuari e pranoi fajësinë, i propozoj gjykatës që ta aprovojë atë”, tha prokurori.