Prokuroria tregon se kur do t'i dorëzojë dosjet e plota kundër ish- krerëve të UÇK-së

Allan Tiger, prokurori i cili po i heton ish- krerët e UÇK-së dhe po i harton akuzat kundër tyre ka deklaruar se dosjet e plota do të bëhen publike vetëm 2 deri në 3 muaj para fillimit të gjykimit.

Ai këto deklarata i bëri në seancën statusore e cila po mbahet sot në Gjykatën Speciale në Hagë.

Tiger tha se nuk ka ndonjë datë se kur do të përfundojnë hetimet mirëpo deklaroi se dosjet mund të mos jenë publike deri në korrik të vitit 2021.

“Sa i takon vlerësimit tonë se kur do të jemi në gjendje të parashtrojmë dosjen paragjyqësore në këto rrethana bazuar në parashikimet tona aktuale për fillimin e gjykimit në shtator ne do të ishim përgatitur t’i dorëzonim dosjen 2-3 muaj para fillimit të gjykimit, në muajin korrik”, tha Tiger.

Ai shtoi se nëse data e fillimit të gjykimit do të ndryshojë ata do t’i paraqesin dokumentet vetëm 2 apo 3 muaj para gjykimit.

Kundër kësaj deklarate të Prokurorit doli avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson.

Emerson tha se këto deklarata po ngrisin një shqetësim të madh pasi tre muaj janë shumë pak që mbrojtja të përgatitet për gjykim.

“Data kur prokuroria duhet që ta  ngrejë flamurin e saj të luftës duhet të jetë 3 muaj përpara fillimit të gjykimit është një arsye për një shqetësim mjaftë të rëndë. Përgatitjet tona duhet të bëhen brenda 3 muajsh sipas prokurorisë, habitem që prokuroria jep këto përgjigje”, tha Emerson.

Kundër doli edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit, David Hooper.

“Më duhet se jam në ëndërr kur e dëgjoj prokurorin, mendoj që kjo është e pa perceptueshme, fjalët e prokurorisë janë zhgënjyese, ne akoma nuk e kemi themeluar ekipin hetimor, na duhet 18 muaj që të fillojmë të hetojmë këtë çështje, ky është realiteti”, tha Hooper.

Dhomat e Specializuar janë duke e mbajtur seancën e dytë statusore në rastin e ish komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Pos tjerash në ketë seancë të gjithë avokatët mbrojtës u deklaruan se u nevojiten së paku 18 muaj që të kryejnë hetime për tu përgatitur sa më mirë për mbrojtje.

Katër krerët e UÇK-së u paraqiten edhe sot para gjyqtarit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara. Paraqitja e tyre u bë përmes video- lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohen nga prokurorët e specializuar.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Pjesë e aktakuzës 68 faqeshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.