Foto: Kallxo.com

Prokuroria tregon rrugën e synuar të veturës me mbi 10 kilogramë drogë

Demë Salihaj dhe Aleksander Stojankoviq që po akuzohen për mbi 10 kilogramë marihuanë janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprën për të cilën akuzohen nga prokuroria.

“Nuk e pranoj fajësinë se nuk kam lidhje me këtë punë” dhe “Nuk e pranoj fajësinë, këta persona kurrë në jetë nuk i kam parë” ishin deklarimet e të akuzuarve Demë Salihaj dhe Aleksander Stojanoviq të bëra në seancën gjyqësore para gjykatësit Radoslav Markoviq.

Që të dy, sipas prokurorisë, veprën për të cilën janë deklaruar të pafajshëm e kishin kryer fillimisht në shkurt të këtij viti kur i pandehuri Demë Salihaj e kishte thirrë në telefon të pandehurin Fuad Ramqaj dhe ishin takuar në lokalin “Delta” në Pejë.

Në përshkrimin e bërë nga prokuroria e Mitrovicës për mënyrën se si ishte kryer kjo vepër penale thuhet se i akuzuari Bekim Ramqaj, i cili më herët e ka pranuar fajësinë për këtë vepër dhe është dënuar nga gjykata, me veturën Golf 2 dhe të pandehurit Demë Salihaj dhe Fuad Ramqaj me veturën “Golf IV” të marr me qera ishin nisur për në Mitrovicë.

Ata në një lokal ishin takuar edhe me të akuzuarin Aleksander Stojanoviq.

Ndërsa me veturën e të pandehurit Bekim Ramqaj, i akuzuari Demë Salihaj dhe Stojanoviq kanë dalë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Demë Salihaj ishte kthyer pas 40 minutave në lokalin ku ishin duke pritur të pandehurit Fuad dhe Bekim Ramqaj, të cilët e kanë pranuar fajësinë më herët për këtë vepër.

Tutje prokuroria përmes aktakuzës ka shpjeguar se Fuad Ramqaj e kishte dëgjuar Demë Salihajn duke i thënë të Bekim Ramqajt se “në veturë ke bari dhe nëse arrin ta dërgosh deri në Pejë, 100 euro i ke për transport” .

Ndërsa rreth orës 19:00 në Mitrovicë, policia sipas planit operativ në një pikë kontrolli, ka ndaluar automjetin i cili drejtohej nga Bekim Ramqaj dhe gjatë kontrollit të personit të dyshuar në bagazhin e automjetit në një thes ngjyrë të bardhë i është gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 10 kilogramë e 550 gramë.

Me këtë akuzohen se në bashëkryerje të pandehurit Demë Salihaj dhe Aleksander Stojanoviq me të pandehurit Bekim e Fuad Ramqaj kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve.

Pas deklarimit të tyre si të pafajshëm, gjyaktësi Markoviq ka njoftuar palët se në afat prej 30 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën.