Ilustrim

Prokurori pas aksionit ndaj të dyshuarve për fajde: Dukuria e fajdeve shumë shqetësuese në Dukagjin

Prokurori nga Peja, Ersan Qavolli, e ka vlerësuar si shumë shqetësuese dukurinë e fajdeve, sidomos në rajonin e Dukagjinit.

Ai këtë deklarim e ka bërë në seancën për caktimin e masës së paraburgimit që është mbajtur në Gjykatën e Deçanit.

“Gjykatë e nderuar, ndaj të pandehurve është duke u hetuar edhe pasuria e tyre, madje tani janë bllokuar edhe disa xhirollogari bankare, e po ashtu dukuria e fajdeve është shumë shqetësuese, e sidomos në rajonin e Dukagjinit”, ka thënë Qavolli.

Ai tutje tha se caktimi i paraburgimit është edhe një mesazh për personat e tjerë që merren me këtë dukuri.

“Prandaj gjykatë e nderuar jam i bindur se me aprovimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve do t’u jepet një mesazh i fuqishëm dhe i qartë të gjithë atyre që merren me këtë veprimtari”, ka shtuar tutje prokurori në seancën dëgjimore.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Aksioni ndaj të dyshuarve për fajde, sekuestrohen para, vetura dhe bllokohen xhirollogari bankare (kallxo.com)