Gjuajtja me armë në tubimin ku i këndohet Sami Lushtakut, Policia jep detaje

Policia e Kosovës nga Stacioni i Mitrovicës së Jugut, ka filluar trajtimin e rastit të gjuajtjes me armë gjatë një tubimi ku ishin mbledhur anëtarë e simpatizantë të PDK-së.

Në një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale shihet ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, anëtarë të tjerë të PDK-së dhe kandidatë për deputetë të mbledhur në një tendë teksa dëgjohen edhe këngë me çiftelia e gjuajtje me armë.

Përveç pjesëtarëve të PDK-së në atë tendë ishin grumbulluar me dhjetëra persona, duke u thyer kështu rregullat e caktuara anti-COVID-19.

Në një moment derisa dëgjoheshin këngët janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, teksa ka pasur edhe duartrokitje.

Kallxo.com lidhur me rastin ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se policia është duke trajtuar rastin.

“Polica është duke trajtuar çështjen ende nuk kemi diçka konkrete lidhur me rastin, përveç të shtënave të cilat po dëgjohen në video, policia ka filluar trajtimin e çështjes… Diçka konkrete nuk ka, por çështja po trajtohet në drejtim të gjetjes së gjurmëve lidhur me rastin…”, ka thënë Zahiti për Kallxo.

Kjo nuk është hera e parë kur të shtëna armësh dëgjohen në tubim ku prezent është Sami Lushtaku.