Pas interesimit të Kallxo.com qytetari pas 20 vitesh hiqet nga evidenca penale

Një histori e armëmbajtjes pa leje e ndoqi 20 vite më pas qytetarin Hamit Gashi, e vetëm pasi i njëjti këtë histori e raportoi në Kallxo.com arriti të gjejë zgjidhje.

Menjëherë pas luftës qytetari në fjalë rrëfen se ishte ndaluar nga KFOR-i gjerman teksa po qarkullonte me kamionin tij.

“Isha duke bartur zhavor me kamion timin, dhe në atë kohë në vitin 2000 plaqkiteshin kamionët nga hajnat, mua më ndaloi KFOR-i, e kontrolluan kamionin dhe aty ma gjetën armën”- tregon Hamit Gashi.

Gashi jep detaje se si kishte përfunduar kjo armë në duart e tij.

“Ishte revole TT Zastava, e kam pasë prej kohës së luftës”- tregon Hamit Gashi.

Pasi ia kishin gjetur armën, Hamit Gashi thotë kishte përfunduar në burg.

“Në Rahovec kam qëndru 72 orë në burg”- rrëfen Gashi.

Por problemi lidhur me këtë rast i ishte shfaqur në fund të vitit të kaluar, teksa kishte filluar të kërkonte punë të re pasi ishte larguar nga e vjetra. Sipas tij pa asnjë paralajmërim, e as një vërejtje me shkrim.

Një gjendje të tillë Gashi e përshkruante me shqetësim të madh sepse si mbajtës i familjes ai thjesht nuk mund të rrinte pa punë.

“Aplikova në një kompani private, dhe ma kërkuan dëshminë se nuk jam nën hetime, unë ju thashë po [ua sjellë], por aty m`u shfaq problemi”- shpjegon më tutje ai duke ju referuar faktit se në dëshminë e hetimeve shfaqej akoma lënda për armëmbajtje e vitit 2000.

Sipas Kodit Penal kjo lëndë do të ishte dashur t’i nënshtrohej vjetërsimit.

Hamit Gashi përshkruan se për katër muaj ishte endur duke kërkuar që lënda në fjalë t’i hiqej nga evidenca penale.

“Më kanë endur nëpër stacione të policisë, nëpër gjykata jo këtu, jo aty”- ka thënë ai Kallxo.com
Hamit Gashi.

Më datë 25.01.2024 Kallxo.com ka kontaktuar Prokurorinë e Gjakovës, Prizrenit dhe Policinë e Kosovës, duke kërkuar të dijë se përse kjo lëndë akoma po figuron në evidencën penale të personit në fjalë, përkatësisht nëse ka ndonjë bazë ligjore për një gjë të tillë.

Vetëm pesë ditë më vonë, më 30.01.2024, Hamit Gashi ka dërguar në redaksinë e Kallxo.com vërtetimin i cili dëshmon se tashmë lënda në fjalë i është larguar nga dosja, dhe i njëjti nuk figuron më nën hetime.