Nasim Haradinaj - 18.12.2020

Nasim Haradinaj kërkon që seanca e nesërme të mbahet pa prezencën e tij

Mbrojtja e nënkryetarit të OVL-UÇK Nasim Haradinaj, përmes një shkresë ka kërkuar që seanca e nesërme për ecurinë e çështjes, të mbahet pa prezencën e Haradinajt.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar nga dhomat e specializuara.

Në kërkesën e drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, është kërkuar që seanca të mbahet në mungesë të Haradinajt, vetëm me prezencën e mbrojtjes së tij.

Në shkresë thuhet se është bashkangjitur edhe shtojca konfidenciale me konfirmimin e nënshkruar nga Haradinaj se nuk do të marrë pjesë në seancë dhe se e njëjta duhet të vazhdojë në mungesë të tij.

Nesër do të mbahet seanca për dy krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Kjo seancë pritet të jetë seancë lidhur me ecurinë e çështjes.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së dhe inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa persona të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara mbi një tavolinë.

Prokuroria Speciale: Kërkesa për lirimin e Haradinajt dhe Gucatit duhet të refuzohet