Murat Jashari: Azem Vllasin s`kam dashur ta vras, vetëm kam dashur ta plagosë
Murat Jashari, i akuzuar për vrasje të rëndë e mbetur në tentativë, është ulur sot në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.
Në seancën e sotme, eksperti i psikiatrisë forenzike Arsim Gashi, tha se deklarimet e të akuzuarit Jashari mund të jenë të pabesueshme dhe të pasakta për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“I akuzuari Jashari është në gjendje të përballojë gjykimin, por deklarimet e të akuzuarit mund të jenë të pabesueshme dhe të pasakta”, tha eksperti Gashi.
Pasi që eksperti i psikiatrisë forenzike Arsim Gashi, deklaroi se akuzuari Jashari është në gjendje të përballojë gjykimin, u vazhdua me gjykimin.
I akuzuari Murat Jashari, deklaroi se ka pasur tendencë që vetëm ta plagosë të dëmtuarin Azem Vllasi.
“Nuk kam pas tendencë me vra Azem Vllasin, tendenca jem ka qenë vetëm me plagu, se për tri ditë ish harru me bo me vra dhe kështu ka frikë për tërë jetën ai dhe të tjerët si ai”, tha i akuzuari Jashari.
Prokurori Burim Çerkini propozoi që në seancën e ardhshme, të vazhdohet me procedimin e provave.
“Propozojmë që në seancën e ardhshme të vazhdohet me procedimin e provave, në mënyrë që procedura të përfundojë më shpejtë për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit”, tha prokurori Çerkini.
Kurse mbrojtja e të akuzuarit Jashari, avokatja Fehmije Bytyqi u dakordua që procedura të përshpejtohet.
Kujtojmë se gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.
Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMW X5”.
Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim dhe Halim Halimi u dënua me 3 vjet burgim.
Ndërsa Bajrush Konjusha ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.
Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.
Ndërsa Murat Jasharit iu kishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje pre 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues.
Por në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të Gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica, Apeli gjeti 11 shkelje të ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.
Po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabaja ta lirojë nga paraburgimi.
Apeli ka gjetur 11 shkelje esenciale që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mos-përpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mos-arritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.
Në aktakuzën e dytë të Prokurorisë thuhet se ndaj Murat Jasharit është ndarë procedura, ku ndaj tij është paraqitur propozim për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.
Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, kjo duke i zbatuar në përpikëri rekomandimet e vendimit të Apelit, e cila në një farë mënyre e ka rrëzuar tezën e ekzistimit të organizatës terroriste të quajtur “Syri i Popullit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me të pandehurin Murat Jashari, ku i njëjti ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar të vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tani të pandehurin Murat Jashari, në atë mënyre që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË X6, me tabela të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.
Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’ rast i pandehuri Murat Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në vila “Panorama” në Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e ka dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.
Ndërsa më 13.03.2017, pasi që pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMË X6, me tabela zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër, mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.
Në aktakuzë thuhet se Sadri Ramabaja me dashje që i pandehuri Murat Jashari të vrasë tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.
Pastaj, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore ,ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga ana e Policisë shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.
Më këtë akuzohet se ka kryer veprën – vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë.
Kurse Bajrush Konjusha me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij më 25.05.2017, është konfiskuar një pistoletë e gazit “Voltran Mini’” me gaz, këtë armë e ka blerë në Gjermani dhe e ka sjellë në Kosovë respektivisht e ka ndryshuar dhe e ka bërë funksionale për fishekë të armës të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent gjithashtu në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion I pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent, thuhet në aktakuzë.
Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll se posedim të paautorizuar të armëve.
Seanca e radhës u caktua për datën, 2 shkurt në ora 9:30.