Gjykimi për tentim-vrasjen e Azem Vllasit, eksperti tregon për gjendjen shëndetësore të Murat Jasharit

Murat Jashari, i akuzuar për vrasje të rëndë e mbetur në tentativë, është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Mbrojtja e të dëmtuarit Azem Vllasi, avokati Nasuf Hasani, tha se klienti i tij mungon pasi që gjendet jashtë shtetit.

Prokurori i rastit, Burim Çerkini propozoi që dëshmia e dhënë e Azem Vllasit në procedurën paraprake të lexohet apo të konsiderohet e lexuar.

“Për shkak të ekonomizimit të procedurës, kërkojmë që dëshmia e tij e dhënë në seancën paraprake të lexohet, apo të konsiderohet e lexuar. Kjo sepse mendoj se është mjaft i qartë deklarimi i tij në lidhje me të pandehurin Murat Jashari, të datës 13 mars 2017, për çka ngarkohet i pandehuri Jashari”, propozoi prokurori Çerkini.

Propozimi i prokurorit Çerkini, u mbështet nga avokatja Fehmije Gashi Bytyqi që mbron të pandehurin Jashari dhe nga avokati i Azem Vllasit, avokati Nasuf Hasani.

Eksperti i psikiatrisë forenzike Arsim Gashi, tha se i pandehuri Jashari në aspekt të shëndetit mendor ka gjendjen relativisht stabile dhe që mund të marrë pjesë në seancë.

“Në aspekt të shëndetit mendor, Jashari ka gjendjen relativisht stabile, që nënkupton se mund të marrë pjesë në seancë”, tha eksperti Gashi.

Ai poashtu ishte i ftuar dhe në cilësi të dëshmitarit.

Në pyetjet e bëra nga mbrojtja e të pandehurit Jashari, eksperti Gashi tha se është i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të të pandehurit Jashari.

Ai shtoi se i pandehuri vuan nga një sëmundje psikike, e cila manifestohet me pasoja të cilat shkaktojnë manipulimin nga persona të tjerë.

“Në aspektin shkencor natyra e këtyre çrregullimeve kërkon trajtim. Domethënë se me përdorim të terapisë së rregullt në mbikëqyrje të psikologut dhe punëtorit social, i pandehuri mund të trajtohet, por ky çrregullim s’mund të shërohet”, tha eksperti Arsim Gashi.

Mbrojtja e të pandehurit Jashari, propozoi që të lexohet dëshmia e dëshmitarit A1, pasi që është relevante me çështjen penale.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e avokates Fehmije Gashi Bytyqi, për lexim të dëshmisë së dëshmitarit A1 dhe ajo dëshmi u lexua.

Avokatja Gashi Bytyqi poashtu tha se i mbrojturi i saj, do të mbrohet në heshtje.

“Për arsyen se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale në gjendje të paaftësisë mendore, do të mbrohet në heshtje”, tha avokatja Gashi Bytyqi.

Fjala përfundimtare do të jepet në seancën e radhës, të caktuar për datën 8 shkurt, në ora 11:00.

Kujtojmë se gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual  dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMW X5”.

Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim dhe Halim Halimi u dënua me 3 vjet burgim.

Ndërsa Bajrush Konjusha ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.

Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.

Ndërsa Murat Jasharit iu kishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje pre 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues.

Por në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të Gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica, Apeli gjeti 11 shkelje të ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.

Po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabaja ta lirojë nga paraburgimi.

Apeli ka gjetur 11 shkelje esenciale që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mos-përpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mos-arritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.

Në aktakuzën e dytë të Prokurorisë thuhet se ndaj Murat Jasharit është ndarë procedura, ku ndaj tij është paraqitur propozim për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, kjo duke i zbatuar në përpikëri rekomandimet e vendimit të Apelit, e cila në një farë mënyre e ka rrëzuar tezën e ekzistimit të organizatës terroriste të quajtur “Syri i Popullit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me të pandehurin Murat Jashari, ku i njëjti ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar të vendit, i pandehuri

Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tani të pandehurin Murat Jashari, në atë mënyre që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMW X6, me tabela të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’ rast i pandehuri Murat Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në vila “Panorama” në Matiqan edhe me të pandehurin Sadri

Ramabaja, në mbrëmje e ka dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.

Ndërsa më 13.03.2017, pasi që pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMW X6, me tabela zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër, mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se  Sadri Ramabaja me dashje që i pandehuri Murat Jashari të vrasë tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.

Pastaj, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore ,ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga ana e Policisë shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën – vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë.

Kurse Bajrush Konjusha  me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij më 25.05.2017, është konfiskuar një pistoletë e gazit “Voltran Mini’” me gaz, këtë armë e ka blerë në Gjermani dhe e ka sjellë në Kosovë respektivisht e ka ndryshuar dhe e ka bërë funksionale për fishekë të armës të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent gjithashtu në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion I pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent, thuhet në aktakuzë.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll se posedim të paautorizuar të armëve.