Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Mungesa e gjyqtares, shtyhet seanca ndaj togerit të akuzuar të Policisë

Seanca ndaj Ejup Mehanit, toger në Policinë e Kosovës, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është shtyrë.

Arsyeja e shtyerjes së kësaj seance, është mungesa e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj. Lajmin për KALLXO.COM e bëri të ditur, bashkëpunëtori profesional i gjyqtares, Leutrim Hoti, i cili tha se e njëjta mungon për shkaqe shëndetësore.

“Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka Mekaj, mungon për shkaqe shëndetësore”, tha ai.

Ejup Mehani, toger i Policisë, akuzohet se më 12 shkurt të këtij viti, ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që t’ua shkelë të drejtat të dëmtuarve, Qazim Krasniqi dhe Remzi Krasniqi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mehani në cilësinë e Udhëheqësit të Njësisë reaguese në Stacionin Policor “Veriu” në Prishtinë, qëllimisht nuk e ka përmbushur detyrën e tij dhe nuk kishte hapur rast lidhur me një kanosje të cilën e kishin paraqitur të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi.

Aktakuza specifikon se fillimisht, Remzi Krasniqi kishte shkuar në stacion policor për të lajmëruar rastin e kanosjes, të cilin ai pretendonte se ia kishte bërë një person me inicialet N. S. por Remzi Krasniqi ishte udhëzuar nga rreshteri policor Ahmet Isufi që të vinte vëllai i tij Qazim Krasniqi për të dhënë deklaratë pasi që ai qenka kanosur.

Aktakuza sqaron se pas disa minutave në Stacionin Policor kishte arritur i dëmtuari Qazim Krasniqi i cili ishte takuar me zyrtarin policor Ejup Mehani.

Aktakuza thotë se vëllezërit Krasniqi i kishin shpjeguar togerit se personi N.S. i kishte kanosur, duke iu thënë fjalë kërcënuese: “Nuk më ka mbetë gjë tjetër vetëm se me ju gjuajt bombën” dhe për këtë i pandehuri Ejup Mehani nuk kishte hapur rast. Poashtu nuk kishte evidentuar ndonjë raport të policisë, përkundër faktit se të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi e kishin lajmëruar rastin e kanosjes me mjet të rrezikshëm, të cilin e kishte bërë personi N. S.