Mbrojtja e viktimave në gjykimin kundër Salih Mustafës kërkon nga gjykata të shkojë në Zllash

Ndaj ish eprorit të UÇK-së Salih Mustafa, që vepronte në zonën e Llapit  një vit pas arrestimit të tij sot filloi shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë

Mustafa  po akuzohet nga Prokuroria Speciale për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitar të 6 personave gjatë periudhës 1 -19 prill 1999.

Në seancën e sotme ka dhënë fjalën hyrëse prokurori special Jack Smith dhe Cesare Mihalchuk.

Ndonëse Salih Musatfa ka hequr dorë për të qenë i pranishëm në seancën kundër tij seanca po vazhdon të mbahet në mungesë të tij.

Në fjalën hyrëse mbrojtja e viktimave deklaroi se “shpresa që njerëzit në Kosovë do të angazhohen në këto procedura, do të dëgjojnë dhe do të besojnë, guximi i viktimave që të marrin pjesë në këtë gjykim është një hap i madh drejt ndryshimit”.

“Të gjitha viktimat që marrin pjesë në këtë procedurë kanë shpresë në drejtësi, ata duan që përgjegjësit të dënohen për kryerjen e krimeve”, vazhdoi tutje mbrojtja e viktimave.

Mbrojtja e viktimave i propozoi gjykatës që të vizitojnë Zllashin.

“Ndonëse viktimat kërkojnë që gjykatësit të shkojnë vet në Zllash dhe të shikojnë me sy, sepse largësia e atij vendi ishte ideal për zbatimin e torturave sepse askush nuk do të ndëgjonte bërtitmat e viktimave”, tha mbrojtja e viktimave.

Tutje mbrojtja e viktimave tha se është mirë që Mustafa të jetë i pranishëm në sallë, sepse viktimat duan të dinë përse janë torturuar.

“Viktimat duan të dinë se përse u janë nënshtruar rrahjeve, torturës e lëndimeve dhe ne do t`i parashtrojmë këto pyetje”, tha mbrojtja.

Tutje në fjalën hyrëse të mbrojtjes së viktimave u tha se: “E respektoj plotësisht të drejtën e tij për qëndruar në heshtje por theksojmë se ai mund të kontribuoje shumë për të treguar se duart e kujt e vranë njërën nga viktimat”.

Po ashtu ajo tha se “Ulësja që është bosh flet shumë dhe kërkon guxim dhe nderë për të treguar të vërtetat e tilla”

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në  një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë  Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.