Foto ilustruese
Kryetarët e gjykatave diskutojnë për pajisjet e video-incizimit – “Më në fund nuk do ta çojmë ditën duke shkruar procesverbale”
Asambleja e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, mekanizëm ky i krijuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka diskutuar sot rreth progresit në realizimin e projektit për pajisjen e sallave të gjykatave me pajisje për audio dhe video-incizime të seancave.
Projekti po mbështetet nga Ambasada amerikane në Kosovë dhe Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL).
Asambleja udhëhiqet nga kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi.
Koordinatorja e programit në INL, Dea Bektashi, tregoi për ecurinë e vendosjes së pajisjeve deri më tani.
“Fillimisht janë pajisur të gjitha burgjet e Kosovës me pajisjet e video-konferencës, pastaj kemi fillu me Gjykatën e Gjilanit, me degën e Kamenicës dhe degën e Vitisë, pastaj kemi vazhduar me Gjykatën e Prishtinës, degën e Graçanicës. Projekti do të vazhdojë në degën e Kaçanikut, Shtërpcës, po ashtu kemi përfunduar pjesërisht edhe degën e Fushë-Kosovës. Ky projekt parasheh të gjitha degët, më përjashtim të Novobërdës, e cila për momentin është në ndërtim e sipër. Pas ndërtimit edhe Novobërda do të përfshihet” – ka thënë Dea Bektashi.
Ajo gjithashtu ka treguar se për përdorimin e pajisjeve do të ketë trajnime.
“Pjesë e projektit do të jetë edhe trajnimi i gjyqtarëve, zyrtarëve ligjorë dhe përkthyesve, në mënyrë që sapo të njëjtit ta marrin trajnimin të fillohet menjëherë me përdorimin e pajisjeve” – tregoi ajo.
E njëjta u shpreh se nuk e ka të qartë nëse Zyra e Kryeministrit është e informuar se projekti ka filluar të implementohet dhe do të vazhdojë të implementohet.
Në fund të fjalës së saj ajo ka kërkuar që sapo të përfundojë trajnimi të fillohet me përdorimin e pajisjeve, dhe njëkohësisht ka ftuar të gjitha gjykatat që t’i japin sygjerimet e tyre për përmirësim, duke thënë se INL-së i intereson të jetë sa më transparente me qytetarët e Kosovës.
E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, e falënderoi INL-në për projektin në fjalë.
“Mirënjohje INL-së për mbështetjen që i jep Këshillit Gjyqësor, dhe disa kërkesave që rrjedhin prej Kodit të Procedurës Penale. Një projekt i tillë i jep mundësi sistemit me e përmirësu efikasitetin dhe transparencën. Këto pajisje do t’i mundësojnë komunikim ma të lehtë gjykatave me institucionet e tjera, posaçërisht me burgjet” – tha ndër të tjera Albert Zogaj.
Kryesuesi i KGJK-së tregoi se pajisjet në fjalë do ta ulin koston e proceseve gjyqësore, e për mosshfrytëzimin e tyre nuk do të ketë arsyetim.
“Deri në fund të këtij viti do të kemi rregulloren për organizimin e brendshëm të gjykatave, ku do të jetë shtojca për përdorimin e pajisjeve, gjegjësisht detyrimi për përdorimin e tyre” – qartësoi Albert Zogaj.
“Nuk do të tolerohet mosshfrytëzimi (i pajisjeve)” – theksoi ai.
Fjalën në këtë diskutim e mori edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama.
Ajo tha që falë INL-së gjykatat nuk do ta çojnë ditën duke shkruar procesverbale.
“Faleminderit INL-së! Ky projekt na ndihmon t’i shfrytëzojmë resurset njerëzore dhe mos ta çojmë ditën duke shkruar procesverbale, por edhe e rritë transparencën” – tha ajo.
E para e Gjykatës së Prishtinës pati edhe një kërkesë të cilën e lidhi me karakteristikat e institucionit që e drejton.
“Duke e marrë parasysh se ne si Gjykatë themelore e kemi përfunduar procesin e vendosjes (së pajisjeve), unë e kam një kërkesë. Duke e marrë parasysh se ne si Gjykatë Themelore e Prishtinës kemi më shumë gjyqtarë dhe kemi edhe një departament specifik, departamentin special të cilëve duhet me ua lënë në vazhdimësi në shfrytëzim sallat me pajisje audio-incizim dhe duke marrë parasysh që vetëm një sallë në secilën gjykatë është paraparë të pajiset kërkojë të bëhet edhe një sallë me këto pajisje. Në mënyrë që t’ua mundësojmë shfrytëzimin edhe gjyqtarëve të krimeve të rënda. Kjo duke e marrë parasysh se një prej sallave ka mundësi të lidhet me video-konferencë dhe duke e marrë parasysh se shumica e seancave po mbahen me dëshmitarë jashtë vendit ose dëshmitarë të mbrojtur është e domosdoshme të kemi edhe një sallë” – tha kryetarja Albina Shabani Rama.
E koordinatorja e programit nga INL u shpreh se nuk mund të premtojë se diçka e tillë do të realizohet por se një gjë e tillë është duke u shqyrtuar.
Projekti për të cilin u diskutua ka për qëllim modernizimin e gjykatave të Kosovës, duke mundësuar përpilimin e procesverbaleve në mënyrë digjitale dhe të standardizuar të seancave penale, përmes ofrimit të pajisjeve të audio-dhe video-incizimit si dhe atyre të përkthimit.