Komisioni Evropian i pakënaqur me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë

Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën 2020 ka ngritur shqetësimin për mënyrën e vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Kosovë.

Në raport thuhet se “vlerësimi i nivelit të profesionalizmit veçanërisht të prokurorëve mbetet një çështje shqetësuese”.

Kjo për faktin se Komisioni Evropian ka gjetur se “disa nga prokurorët janë të trajnuar në mënyrë jo adekuate e disa të tjerë nuk janë të gatshëm të aplikojnë trajnimet e mbajtura për të kryer me përgjegjësi të plotë çështjet e tyre por asnjëri prej tyre nuk është vlerësuar me ‘pamjaftueshëm’”.

Nga raporti i Komisionit rezulton se në vitin 2019 nga Këshilli Prokurorial është vlerësuar performanca e 90 prokurorëve ndërsa nga Këshilli Gjyqësor është vlerësuar performanca e 74 gjyqtarëve.

Gjyqtarët dhe prokurorët me mandat të përhershëm u vlerësuan “mirë” ose “shumë mirë” e asnjë prej tyre nuk u vlerësua si “pamjaftueshëm”.

Ky vlerësim nga ana e KGJK-së dhe KPK-së, sipas Komisionit Evropian, është bërë me kritere jo të qarta andaj është në kundërshtim me përceptimin publik të profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas Komisionit, Akademia e Drejtësisë është përgjegjëse për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve veçanërisht në fusha të specializuara si krimi ekonomik, shpëlarja e parave, prokurimi publik, konfiskimi, dhuna në familje, ngacmimi seksual.

Akademia e Drejtësisë duhet të mbikëqyre dhe të raportojë mbarëvajtjen e trajnimeve të mbajtura në përputhje me praktikat evropiane, thuhet në raport.