Incidenti tragjik në Pejë ku mbeten të vrarë dy zyrtarët e PDK-së

Qyteti i Pejës është tronditur mbrëmë nga vrasja e dyfishtë që ka ndodhur në afërsi të shkollës ekonomike në Pejë.

Nga plumbat e shkrepur kanë mbetur të vdekur, kandidati i PDK-së për kryetar të  Pejës, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati i PDK për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj.

Rasti ka ndodhur në afërsi të një lokali që gjendet të shkolla ekonomike.

Dyshimet e para të pakonfirmuara në mënyrë zyrtare, tregojnë se dy të vrarët kanë shtënë në drejtim të njëri tjetrit.

Deri tani dihet se është arrestuar edhe një person tjetër që kishte mbetur i plagosur në këtë incident.

Personi i arrestuar është vëllai i të vrarit Astrit Ademaj.

KALLXO.com ka raportuar dje nga vendi i ngjarjes.

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit në Pejë ku mbetën të vrarë zyrtarë të saj.

PDK është shprehur e tronditur nga ky lajm tragjik, ndërsa kanë shprehur ngushëllime për familjet e të vrarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit më 2017.  Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ndërsa reagim për këtë rast ka pas edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti ka ftuar organet e rendit që me seriozitetin më të lartë e sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasjeje të dyfishtë.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është arrestuar i plagosuri në Pejë, i përfshirë në incident.

“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin. Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, ka shkruar Sveçla.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Pejës, ndërsa ende nuk dihen arsyet që kanë dërguar deri të ky incident.