Foto: KALLXO.com

Flet avokati i të dyshuarit: Klienti im ka shkuar në vend të ngjarjes pasi që viktimat ishin në tokë

Avokati Gëzim Kollçaku, i cili në këtë rast është mbrojtësi i Avni Ademaj, të dyshuarit për përfshirjen në rastin për vrasjen e dyfishtë në Pejë, ka thënë se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij është e pa bazuar.

Avokati Gëzim Kollçaku ka deklaruar se Gjykata nuk ka asnjë arsye për caktimin e masës së paraburgimit nga klientit të tij, nën pretendimin se nuk ka dyshim të bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

“Unë e kundërshtova në tërësi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit tim, me arsyetimin se kërkesa e një caktimi të paraburgimit nuk ka asnjë dyshim të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën bazohet”, tha Kollçaku.

Ndryshe nga Prokuroria, avokati Gëzim Kollçaku deklaroi se i mbrojturi i tij, Avni Ademaj kishte arritur në vendin e ngjarjes në momentin kur viktimat kanë qenë të shtrira për tokë dhe ka deklaruar se i ndjeri Blerand Kadriaj e ka gjuajtur me armë dhe e ka plagosur Avni Ademajn.

Avokati Kollçaku ka deklaruar se Prokuroria kërkesën e ka bazuar vetëm në raportet policore, të cilat sipas avokatit nuk mund të konsiderohen si prova materiale.

“Prokuroria dyshimin e bazuar e ka bazuar vetëm në raportet e policëve e që sipas dispozitave ligjore, raportet policore nuk konsiderohen si prova materiale, që vërtetojnë dyshimin e bazuar. Aktvendimi për fillimin e hetimeve dhe kërkesën e ka bërë veç në bazë të 8 raporteve të policëve hetues ku përshkruhen vetëm veprimet që një polic i ka marrë dhe jo një dyshim se a e ka kry dikush apo jo veprën penale”, ka thënë avokati.

Madje, ai tha se Prokuroria kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit e bazon edhe në dëshmitë e tetë dëshmitarëve, të cilët sipas avokatit nuk janë dëshmitarë okular.

E në rast se Gjykata e aprovon kërkesën e Prokurorisë, avokati paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

Avni Ademaj po dyshohet të jetë i përfshirë në rastin e vrasjes së 8 shtatorit në Pejë, ku nga plumbat u vranë vëllai i tij Astrit Ademaj, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe Blerand Kadriaj, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit.

Avni Ademaj i cili mbeti i plagosur në këtë incident, po dyshohet nga Prokuroria se e ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn.

Këto dyshime janë konstatuar në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“..pasi dy viktimat kishin filluar të shtënë në drejtim të njërit tjetrit, aty i pandehuri pa hezitim kishte nxjerr nga brezi armën pistoletë të tipit TT, me të cilën dyshohet se kishte shtënë disa herë në drejtim të viktimës, Blerand Kadriaj, ku nga këto të shtëna dyshohet të kenë privuar nga jeta të ndjerin Blerand Kadriaj”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Hetimet e Prokurorisë së Pejës thonë se ekziston dyshimi se i pandehuri Avni Ademaj ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit.

Prokuroria thotë se ditën kritike ishte lënë një takim mes viktimës Blerand Kadriaj dhe Astrit Ademajt, në lokalin ku punonte i pandehuri Avni Ademaj.

Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, viktima Blerand Kadriaj ka shkuar me dëshmitarin L.L., për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishte pasur me viktimën Astrit Ademaj.

Dosja e prokurorisë sqaron se gjatë fjalosjes, i pandehuri Avni Ademaj, ia merr armën viktimës Astrit Ademaj dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand Kadriaj, i cili po ashtu në të njëjtën kohë ka shtënë dy herë në drejtim të viktimës Astrit Ademaj dhe të dyshuarit Avni Ademaj, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit Avni Ademaj është privuar nga jeta viktima Blerand Kadriaj.

Hetimet e prokurorisë japin detaje se si dyshohet të këtë ndodhur vrasja e dyfishtë në Pejë