Ilustrim

Paraburgim për të pandehurin lidhur me vrasjen e dyfishtë në Pejë

Gjykata e Pejës i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit Avni Ademaj, nën dyshimin se ka kryer veprat penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje. Paraburgimi është caktuar për 30 ditë.

“Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprat penale për ta cilat dyshohet. Gjithashtu, në këtë çështje penale ende pritet që të sigurohen provat e tjera materiale, të dëgjohen dëshmitarët si dhe vetë i pandehuri andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku real që i njëjti mund të ndikoj në dëshmitarë me qëllim që t’i ndërrojnë deklaratat e tyre në favor të tij”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Për më tepër, gjykata duke pas parasysh peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit, raportet jo të mira mes familjeve pas ndodhjes së rastit, ka vlerësuar se ekziston rreziku se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri mund të kryej vepër të re penale.

Hetimet e Prokurorisë së Pejës thonë se ekziston dyshimi se i pandehuri Avni Ademaj ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit.

Avni Ademaj është vëllai i të ndjerit Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së.

Prokuroria thotë se në ditën kritike ishte lënë një takim mes viktimës Blerand Kadrijaj dhe Astrit Ademaj, në lokalin ku punonte i pandehuri Avni Ademaj.

Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, Prokuroria pretendon se viktima Blerand Kadriaj ka shkuar me dëshmitarin L.L., për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishte pasur me viktimën Astrit Ademaj.

Prezent gjatë takimit sipas Prokurorisë kanë qenë edhe i pandehuri Avni Ademaj dhe dëshmitari L.L.

Sipas prokurorisë viktimat kanë filluar të fjalosen ku është acaruar situata dhe dy viktimat i kanë nxjerrë revolet duke futur fishekët në tytë. Dosja e prokurorisë sqaron se gjatë fjalosjes, i pandehuri Avni Ademaj, ia merr armën viktimës Astrit Ademaj dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand Kadriaj, i cili po ashtu në të njëjtën kohë ka shtënë në drejtim të viktimës Astrit Ademaj dhe të dyshuarit Avni Ademaj, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit Avni Ademaj është privuar nga jeta viktima Blerand Kadriaj.

Kurse viktima Astrit Ademaj sipas prokurorisë ka vdekur nga plagët e armës së viktimës Blerand Kadrijaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast