Foto: KALLXO.com

Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë, lirohet nga paraburgimi i arrestuari

Avni Ademaj, vëllai i ish-kadidatit të PDK-së për kryetar të Pejës, i vrarë në një incident në Pejë më 8 shtator 2021, është liruar nga masa e paraburgimit.

Avni Ademaj po hetohet nga Prokuroria nën dyshimin se ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn.

Me vendim të Gjykatës së Pejës Ademajt masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor.

“Po, është liru nga paraburgimi, tash i është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor”, tha për KALLXO.com mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku.

Prokuroria thotë se në ditën kritike ishte lënë një takim mes viktimës Blerand Kadrijaj dhe Astrit Ademaj, në lokalin ku punonte i pandehuri Avni Ademaj.

Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, Prokuroria pretendon se viktima Blerand Kadriaj ka shkuar me dëshmitarin L.L., për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishte pasur me Astrit Ademajn.

Prezentë gjatë takimit, sipas Prokurorisë, kanë qenë edhe i pandehuri Avni Ademaj dhe dëshmitari L.L.

Sipas Prokurorisë viktimat kanë filluar të fjalosen ku është acaruar situata dhe dy viktimat i kanë nxjerrë armët duke futur fishekët në tytë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se gjatë fjalosjes i pandehuri Avni Ademaj ia merr armën viktimës Astrit Ademaj dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand Kadriaj, i cili po ashtu në të njëjtën kohë ka shtënë në drejtim të viktimës Astrit Ademaj dhe të dyshuarit Avni Ademaj, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit Avni Ademaj është privuar nga jeta viktima Blerand Kadriaj.

Kurse Astrit Ademaj sipas Prokurorisë ka vdekur nga plagët e armës së viktimës Blerand Kadrijaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.