Pamje nga një seancë e mëhershme- Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen më 2014, djemtë e viktimës: Ende nuk e dimë ku është trupi i babait

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar seanca e gjykimit ndaj të pandehurve Razvigor dhe Radenko Miniq, të akuzuar për vrasjen e M.S.

Rasti kishte ndodhur në mars të vitit 2014 në fshatin Serbovac të komunës së Zveçanit.

Në seancën e sotme është dhënë fjala hyrëse nga palët.

Prokuror i rastit, Ismet Ujkani, ka deklaruar se nga provat që do të paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor  e deklarimet e dëshmitarëve do të rezultojë se të pandehurit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen sipas aktakuzës.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit të parë Razvigor Miniq, avokati Halil Derguti, ka thënë se në shkresat e lëndës nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën për të cilën ngarkohet dhe se mbetej pranë pafajësisë derisa të vërtetohet e kundërta.

Se nuk ka dëshmi të cilat e vërtetojnë fajësinë e të pandehurit të dytë në ketë rast, Radenko Miniq, ka deklaruar edhe mbrojtësi i tij, avokati Faik Jashari.

Ndërkaq edhe gjatë seancës së sotme të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën.

Po ashtu, gjatë kësaj seancë të propozuar nga ana e Prokurorisë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Miodrag e Miroslav Stojanoviq, Gordana Kashinoviq,  Zoran Stojanoviq, Dragan Kostiq.

Miodrag dhe Miroslav Stojanoviq, djemtë e tani të vrarit M.S. (sipas Prokurorisë), kanë dëshmuar para gjykatës duke treguar se si për disa ditë me radhë nuk kishin ditur asgjë për babanë e tyre, ndërsa as tani pas gjashtë viteve prej kohës kur ka ndodhur rasti ende nuk dinë se çfarë ka ndodhur me babanë e tyre.

I pyetur nga prokurori Ismet Ujkani, dëshmitari Miodrag Stojanoviq ka thënë se ai nga vëllai i tij, dëshmitari tjetër Miroslav Stojanoviq, e kishte kuptuar se babai i tyre ishte zhdukur.

“ Babai im jeton tek vëllai, jo në një shtëpi por të një shtëpi pranë, dhe ai më ka thënë se babai nuk ka ardhur në shtëpi dy-tre ditë dhe e ka lajmëruar rastin pastaj…”, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari Miodrag Stojanoviq ka thënë se pas natës kritike babai i tyre kishte humbur gjurmët dhe se më kurrë nuk ishte kthyer.

“Asnjëherë pas asaj, i ka humbur gjurmët, babai im që atëherë kurrë nuk është kthyer“, tha tutje dëshmitari.

Ndërsa dëshmitarja Gordana Kashinoviq ka thënë se tek para një viti ka dëgjuar për këtë rast pasi nuk kishte pasur ndonjë kontakt me familjen e të ndjerit.

Dëshmitari Zoran Stojanoviq, i pyetur nga prokurori se a e dinte nëse tani i vrari axha i tij kishte pasur para, ai ka thënë se kishte pasur por nuk e dinte sa.

”Ka pasur por nuk e di sa. E ka pranuar socialin dhe pensioni nga Kosova dhe kjo është e tëra“, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa dëshmitari Dragan Kostiq ka thënë se për zhdukjen e M.S. kishte dëgjuar nga tani dëshmitari Zoran Stojanoviq.

“Asgjë nuk kam mundur të kuptoj, kam dëgjuar se axha i tij është zhdukur se i vjen keq dhe kam dëgjuar se ka humbur edhe dy herë para kësaj, një herë në Vushtrri, një herë në Zubin Potok “, tha dëshmitari.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit, për të vazhduar nesër me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në këtë rast.

Lidhur me këtë rast veprën penale vrasje e rëndë prokuroria ia ka ngarkuar të akuzuarve Radenko dhe Razvigor Miniq.

Akuza e Prokurorisë përshkruan veprimet e të pandehurve ku thotë se i akuzuari Radenko Miniq kishte shkuar tek i pandehuri Razvigor Miniq për të çarë dru.

Viktima kishte shkuar tek i pandehuri Razvigor Miniq, që kanë qenë duke jetuar ne shtëpi me qira, dhe viktima u ka kërkuar që të kalojë natën në shtëpi.

I pandehuri i kishte thënë të ndjerit se po mund të qëndronte aty “nëse kishte para“ e viktima i kishte thënë se nuk kishte por se i pandehuri Razvigor Miniq ka pranuar dhe viktima ka hyrë brenda në shtëpi që të kalojë natën dhe të flejë.

Gjatë qëndrimit brenda në shtëpi të pandehurit se pari viktimës ia marrin çantën në të cilën kishte pasur 15.000 euro dhe 20.000 dinarë e pastaj me mjete të forta – shkopinj druri e kanë goditur në kokë dhe trup, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

Pastaj trupin e viktimës e nxjerrin nga shtëpia dhe e vendosin në bagazh të automjetit të të pandehurit Razvigor Miniq, e në automjet i fusin kazmën e lopatën dhe të pandehurit hynë në automjet që e drejtonte i pandehuri Razvigor Miniq.

Ata ishin nisur në drejtim të Leposaviqit dhe trupin e viktimës e kanë fshehur në vend të panjohur dhe gjerë më tani trupi i viktimës ende nuk është gjetur.

https://kallxo.com/ligji/vrasja-mizore-me-2014-te-pandehurit-deklarohen-te-pafajshem/