Gjykimi për krime lufte ndaj Milorad Zajiq - 25.02.2019 - FOTO KALLXO

Gjykimi për krime lufte, Supremja gjeti shkelje në aktgjykimin lirues ndaj Millorad Zajiqit

 

Gjykata Supreme e Kosovës më 18 shkurt të këtij viti ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastin penal ndaj Millorad Zajiqit, i akuzuar për gjenocid.

Supremja ka konstatuar se aktgjykimet e Gjykatës së Pejës dhe Apelit përbëjnë shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Më 8 mars 2019, Gjykata e Pejës e kishte liruar Millorad Zajiqin nga akuza për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime te luftës.

Ndërsa Apeli më 1 tetor 2019, e kishte vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Zajiqit, duke e refuzuar si të pa bazuar ankesën e prokurorit të shtetit.

 

Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për krime lufte, Milorad Zajiq

 

Supremja ka gjetur se Gjykata e Pejës nuk u ka falur besimin 12 dëshmitarëve me arsyetimin se i kishin ndryshuar deklaratat e tyre.

Ndërsa prokuroria në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë ka deklaruar se vet i akuzuari e ka pranuar se natën kritike ka kujdestaruar, gjë që tregon se ka qenë pjesë e grupit që dyshohen se kanë kryer krime lufte në atë kohë.

Ndonëse, Gjykata Supreme ka konstatuar shkeljet esenciale të këtyre aktgjykimeve, aktgjykimi i gjykatës Supreme nuk mund të prishë formën e prerë të aktgjykimit të Apelit sepse kërkesa e prokurorisë është paraqitur në dëm të të pandehurit Millorad Zajiq.

Prokuroria Speciale e akuzonte Zajiqin se ishte i përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe dhe duke qëlluar në drejtim të shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se më 19 qershor 1998, Zajiqi e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve.

Aktakuza thoshte se fqinjët e tij e kishin parë duke shkarkuar nga makina e tij “Zastava” armë, e në mbrëmje duke qëlluar ne drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga po këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku. Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.