Gjykimi për krime lufte ndaj Milorad Zajiq - 25.02.2019 - FOTO KALLXO

Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për krime lufte, Milorad Zajiq

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës me të cilin ishte liruar nga akuza Milorad Zajiq i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Vendimi i Apelit është marrë më 1 tetor.

Gjykata e Pejës me datën 8 mars 2019, e ka liruar nga akuza Milorad Zajiqin i akuzuar për krime luftë kundër popullsisë civile  dhe shkelje të Konventës së Gjenevës.

Milorad Zajiq ishte liruar për shkak se nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale me të cilën ngarkohej.

Gjykata e Pejës kishte ardhur në përfundim pas shqyrtimit të provave se Milorad Zajiq nuk kishte marrë pjesë në sulmet ushtarake serbe ndaj popullatës shqiptare, se nuk ishte pjesë e grupeve paramilitare dhe nuk kishte marrë pjesë në djegien e H.O dhe Z.M.

Prokuroria Speciale e akuzonte Zajiqin se ishte i përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe dhe duke qëlluar në drejtim të shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se më 19 qershor 1998, Zajiqi e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve.

Aktakuza thoshte se fqinjët e tij e kishin parë duke shkarkuar nga makina e tij “Zastava” armë, e në mbrëmje duke qëlluar ne drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga po këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku. Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.

Prokuroria Speciale kishte parashtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jot ë plotë të gjendjes faktike brenda afatit ligjor.

Mirëpo ankesa është refuzuar nga Gjykata e Apelit e cila njëkohësisht edhe e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Milorad Zajiqit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i formës së prerë, dhe ai mund të ndryshohet vetëm me paraqitjen e mjeteve të jashtëzakonshme juridike.