Gjykimi i ish Togerit të Policisë për gjuajtjen me armë në mes të këngëtarëve në lokal nate

Ish Togeri i Policisë së Kosovës Menderes Sinani, ka dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatën e Ferizajt.

Bashkë me Sinanin në këtë rast po akuzohen edhe Kreshnik Sefedini, Remzi Bislimi dhe Emrush Lalinovci

Menderes Sinani, Emrush Lalinovci, Remzi Bislimi akuzohet nga prokuroria për veprat penale moslajmërimi i veprave penale apo kryesve te tyre, dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes se veprave penale, frikësimi gjatë procedurës penale.

Gjithashtu të akuzuarit Menderes Sinani, Emrush Lalinovci, Kreshnik Sefedini dhe Remzi Bislimi, akuzohen edhe për veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Ndërsa i akuzuari Kreshnik Sefedini, për veprën penale përdorimi i armës, apo mjetit të rrezikshëm, si dhe për veprën penale lëndim i rëndë trupor dhe për shkak të veprës penale shtytja, ndërsa së bashku me Remzi Bislimin, për veprën penale deklarimi i rrem nën betim.

Kreshnik Sefedini para trupit gjykues vendosi të mbrohet në heshtje dhe të mos deklarohet lidhur me çështjen në fjalë.

Ndërsa i akuzuari Menderes Sinani gjatë mbrojtjes së tij i pyetur nga avokati i tij Burhan Qosa deklaroi se “Në vitin 2013 kam qenë toger në njësitin kundër trafikimit me qenie njerëzore. Në ditën kur ka ndodhur ngjarja Kreshniku më ka thirrur në telefon në orët e mbrëmjes, por unë nuk e di nga e ka marrë numrin tim. Ai më ka thënë se restoranti Montana është e mbushur me policë dhe më ka thënë se kam bërë shaka me një këngëtar të restorantit. Dhe sa më kujtohet më ka thënë se e ka frikësuar me mjete piroteknike. Dhe unë e kam mbyllur telefonin sepse nuk kisha çfarë përgjigje t`i jepja. Ma ka dërgu Kreshniku një sms duke më thënë “Mend pash dy fmitë që i ke, më ndihmo“, unë prapë nuk ia kam kthyer sms”.

Më pas seanca vazhdoi me marrjen në pyetje nga prokurori Rasim Maloku i cili e pyeti të akuzuarin Menderes Sinani “A keni ide se nga e ka siguruar numrin tuaj privat Kreshnik Sefedini?”.

“Unë nuk e di sepse unë nuk ia kam dhënë”, tha i Akuzuari Sinani.

I lejuar nga trupi gjykues prokurori i shtetit e ballafaqoi me një pjesë të deklaratës në të cilën e ka pyetur prokurori i EULEX-it.

“A ju kujtohet se biseda juaj ka shkuar përafërsisht kështu. Në thirrjen e Kreshnikut ju jeni përgjigjur ‘Tungjatjeta si je ma’, ndërsa sipas transkriptit të bisedës Menderesi përgjigjet ‘përshëndetje’, Kreshniku e pyet çfarë po bën, a po lodhesh’. Tani pyetja ime është, a ishit ju në dijeni se me kë ishit t`u bisedu?”.

“Unë nuk e di si janë nxjerr këto transkripte të bisedave, nuk besoj se Kreshniku ka folur kështu me mua”, deklaron Menderes Sinani.

I pyetur nga prokurori lidhur me transkriptin e bisedave telefonike të siguruar nga mjetet e përgjimit, Menderes Sinani deklaroni se “Këtë bisedë të transkriptit po e dëgjoj për herë të parë sepse nuk më është lexuar nga prokurori i EULEX-it”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Gjuajta me armë zjarri kishte ndodhur më datë 13 maj 2013 rreth orës 21:30 në Montana, një lokal me muzikë nate dhe biznes ku policia ka kryer disa herë bastisje, e kjo pronë e të akuzuarit Remzi Bislimi i njohur si ‘Daja Rem’.

Sipas Prokurorisë gjuajtja kishte ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjes në mes të Kreshnik Sefedinit (këngëtar) dhe Qëndrim Mehmetit (këngëtar).

Aktakuza përshkruan se Kreshnik Sefedini e nxjerr revolen me gaz dhe shkrep në Qëndrim Mehmetin duke e goditur atë në këmbë.

Të pranishëm gjatë asaj ngjarje ishin disa punëtorë të ‘Montanë’-s, njëra nga punëtoret (femër) e njofton Policinë për incidentin, edhe pse pronari i lokalit Remzi Bislimi së bashku me Kreshnik Sefedinin dhe disa punëtorë të tjerë të të njëjtit lokal mundoheshin ta fshihnin gjuajtjen, por pas njoftimit të Policisë, të dyshuarit e kthyen vëmendjen për ta adresuar gjendjen e viktimës.

 

Sipas Aktakuzës ata sajuan një tregim mbulues për një “fishekzjarr” për t’i thënë policisë se ishte një fishekzjarr dhe jo gjuajtje me armë. Gjithashtu Kreshnik Sefedini më pas u mundua të pajtohej me viktimën duke e lutur atë që të mos tregoj se çka kishte ndodhur atë natë si dhe duke i blerë dhurata.

Siç theksohet në aktakuzë më pas në ‘Euro Miti’ Ferizaj takohen Qëndrim Mehmeti i njohur si ‘Meda’, Kreshnik Sefedini, Remzi Bislimi me togerin Menderes Sinani dhe Emrush Lalinovcin si dhe një person të quajtur Razim Berisha.

“Emrush Lalinovci (zyrtar policor) i njohur me emrin “Baba Emrush” i ka thënë  viktimës Qëndrim Mehmeti që ta harrojë në lidhje me këtë incident, që të mos bëhet bujë e madhe rreth kësaj sepse Kreshniku vetëm kishte bërë shaka.  Të dy togerët Menderes Sinani dhe Emrush Lalinovci thanë që Kreshnik Sefedini do të jetë i lirë nga telashet me policinë”, theksohet në aktakuzë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 22 dhe 26 nëntor.