Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Arrestohen katër persona për gjuajtje me armë në Prishtinë, tre të tjerë në arrati

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë.

Policia thotë se tre të dyshuar të tjerë të përfshirë në gjuajtjet me armë më 25.01.2024 në rrugën “Ferat Dragaj” janë në arrati.

Gjatë arrestimit të të dyshuarave bëhet se ditur se janë sekuestruar edhe dy armë zjarri.

“Aksionet e hetuesve policorë, janë ndërmarrë mbrëmë në koordinim me prokurorin e shtetit, ku pas identifikimit të lokacioneve dhe personave të dyshuar, kanë shoqëruar në polici personat e dyshuar dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri”- ka thënë policia në njoftimin e datës 16.02.2024.

Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të tre personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Armët e konfiskuara. Foto: Policia e Kosovës.