Forcat e policisë në veri | Foto: KALLXO.com

Gjuajtja me armë zyrtare në Suhodoll, prokurori kujdestar mori informacionet se policia shtiu mbi 5 herë drejt veturës së dyshuar

Mbi pesë herë dyshohet se disa zyrtarë policorë gjuajtën me armë zyrtare ndaj një veture të cilën ishte duke e vozitur një person i dyshuar, i cili fillimisht sipas policisë nuk respektoi urdhrin për ndalim e më pas goditi me veturë një polic dhe një veturë të policisë.

Ngjarja që ndodhi në mesditë tashmë po trajtohet edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. 

Prokurori kujdestar në Mitrovicë sipas kryeprokurorit Ismet Ujkani tashmë pritet që të dalë në vendin e ngjarjes dhe të marrë detaje nga ngjarja që u raportua në orët e mesditës. 

Në një bisedë përmes telefonit, kryeprokurori Ujkani tha se prokurori kujdestar u informua se zyrtarët policorë gjuajtën më shumë se pesë herë në drejtim të veturës së dyshuar. 

Tutje ai shtoi edhe se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa ka edhe gjurmë të plumbave të shkrepur në veturë. 

“Sipas informacioneve që kemi, diku 6-7 herë kanë gjuajtur policia, është goditur vetura e dyshuar, por i dyshuari kishte lënë veturën dhe më pas ishte larguar”- tha Ujkani. 

Policia e Kosovës në një njoftim zyrtar ka thënë se zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre, sot rreth orës 12:40 në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, gjatë tentimit për të ndaluar për kontroll një veturë të dyshuar, drejtuesi i veturës nuk ka ndaluar dhe me veturë ka sulmuar-goditur një zyrtar policor dhe po ashtu një veturë të policisë.

“Të ndodhur në këtë situatë kur seriozisht ishte e rrezikuar jeta e zyrtarëve policorë, zyrtarët për të mbrojtur jetën dhe vënë situatën nën kontroll, janë detyruat të përdorin armët e zjarrit”- thuhet në njoftimin e policisë. 

Gjatë zhvillimeve në këtë situatë një polic është lënduar pasi u godit nga vetura kurse gjatë përdorimit të armëve nuk ka të dhëna për persona të lënduar.

“Drejtuesi i automjetit (i dyshuari), ka arritur që të dalë nga vetura dhe të ikë në drejtim të panjohur. Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg)”- thuhet në njoftim tutje. 

Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndërmirren veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar”- përfundon njoftimi i Policisë.