Arkiv - Granit Elshani në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Granit Elshanit transferohet nga Peja në Gjakovë

Gjykata e Pejës nuk do të gjykojë më rastin gjyqësor për ngjarjet që tronditën Pejën në natën e festës së vitit të ri në vitin 2010.

Valdet Kelmendi u plagos më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur.

Për këtë incident është gjykuar Granit Elshani për të dytën herë nga Gjykata e Pejës, ndërsa disa ditë para pensionimit gjyqtari ka rihapur procesin gjyqësor kundër tij.

Zëdhënësja e gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti për KALLXO.com tha se transferimi është bërë me kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Pejës, Armend Berisha dhe me pëlqimin e kryetarit të Gjykatës së Gjakovës, Nikollë Komani.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Më 21 shtator, kur pritej aktgjykimi në këtë çështje, trupi gjykues kishte vendosur që ta rihapë shqyrtimin gjyqësor “me qëllim të eliminimit të disa paqartësive”.