Shtyhet seanca për rastin e njohur si “Çekiçi”

Prokuroria akuzon, Gëzim Retkocerin, për vrasjen e Naim Hajrizit. Në seancën e sotme prokurorja e rastit Fikrije Zejnullahu, tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak gjyqësor për këtë çështje.

“Duke përjashtuar fjalën hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak gjyqësor, që ka pas të bëjë me të akuzuarin Osman Spahiu, mbetem pranë fjalës hyrëse në atë shqyrtim gjyqësor në raport me të akuzuarin Gëzim Retkoceri”, tha Zejnullahu.

Ajo arsyetoi këtë, pasi siç tha gjendja faktike e vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor është e mbështetur jo vetëm nga provat e siguruara gjatë fazës hetimore, por dhe dëshmive të dëshmitarëve të dhëna në shqyrtim gjyqësor në veçanti, provave materiale, e në anën tjetër edhe të deklarimit të të akuzuarit Spahiu në atë shqyrtim gjyqësor.

Ajo shtoi se dispozitivi i aktakuzës së precizuar dhe ndryshuar në fjalën përfundimtare gjatë shqyrtimit paraprak gjyqësor, e të lexuar në seancën e sotme do vërtetohet bazuar mbi provat.

“Të cilat në mënyrë sipërfaqësore i përmenda, sepse jemi në dijeni se këtë rast maratonik veç e kemi të njohur”, shtoi Zejnullahu.

Mbrojtja e të akuzuarit Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi tha se gjykimi është pasojë e hetimit shkel e shko, jo i drejtë dhe jo profesional i bërë pikërisht nga organet ndjekëse.

“Do ta përsëris sot se ky gjykim maratonik është bërë shkel e shko. Kjo ka prodhuar pasojën me të cilën sot po ballafaqohemi, andaj edhe është shkaku, arsyeja dhe baza kryesore për të cilën Gjykata e Apelit e kthen këtë çështje në rigjykim”, tha avokatja Kelmendi.

“Ju trup gjykues për të tretën herë s’do arrini të vërtetoni, dy elemente kryesore të veprës penale vrasje, kohën dhe vendin se kur dhe ku është privuar nga jeta i ndjeri Hajrizi”, shtoi ajo.

Kelmendi po ashtu tha se, trupi gjykues do bindet në shkresat e lëndës, se sipas vërejtjeve të Apelit ka një mori provash të papranueshme.

Në këtë seancë reagoi vëllai i të ndjerit Naim Hajrizi, Halim Hajrizi pasi i akuzuari tha se kërkon “vetëm drejtësi”.

Seanca e sotme u shty për një datë tjetër, sepse anëtarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, kishte lëndë dëgjimore për përcaktim të paraburgimit.

Seanca e radhës, u caktua për datën, 26 shkurt në ora 9:00.

Prokuroria akuzon, Gëzim Retkocerin për vrasjen e Naim Hajrizit.

Në këtë rast i akuzuar ishte Osman Spahiu, se në bashkëkryerje kishte kryer këtë vepër penale, por pas ricilësimit të aktakuzës ai ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, duke pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Kujtojmë se Gjykata në korrik të vitit 2015 kishte dënuar Retkocerin dhe Spahiun me nga 30 vjet burgim për vrasjen e tani të ndjerit Hajrizi.

Por Apeli për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale, e kishte kthyer çështjen në rigjykim dy herë për të akuzuarin Retkoceri.

Sipas aktakuzës, tanimë të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tashmë të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin të Lipjanit, dhe për të fshehur gjurmët e kishin djegur trupin e tij.

Kurse i akuzuari Gëzim Retkoceri, në vazhdimësi ka mohuar se ka kryer këtë vrasje.

Dështon sërish seanca në rastin e njohur si ‘Çekiçi’