Dështon sërish seanca në rastin e njohur si ‘Çekiçi’

 

Arsye e mosmbajtjes së seancës, ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues.

Prokuroria akuzon, Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiu, për vrasjen e Naim Hajrizit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli e arsyetoi mungesën e anëtares së trupit gjykues, Fatime Dërmaku dhe tha se ishte e pamundur të gjejnë një anëtar tjetër të trupit gjykues.

“Anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku mungon për shkaqe shëndetësore dhe është e pamundur të gjejmë një anëtar tjetër të trupit gjykues, pasi që të gjithë gjyqtarët janë të zënë me punë”, tha gjyqtari Ismajli.

Kujtojmë se Gjykata në korrik të vitit 2015 kishte dënuar Retkocerin dhe Spahiun me nga 30 vjet burgim për vrasjen e tani të ndjerit Hajrizi.

Por Apeli për shkak të shkeljes se dispozitave procedurale, e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin  dhe Osman Spahiun se me datën 29 prill 2009 ka rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e ka mbytur duke e goditur me mjete të forta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.

Seanca e radhës u caktua për datën 4 janar, në ora 9:30.