Seanca në rastin e njohur si "Çekiqi" FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Reagon ndaj të akuzuarit vëllai i të vrarit në rastin Çekiçi “Betohem, ky e ka mbytë”

Halim Hajrizi, vëllai i Naim Hajrizit, për vrasjen e të cilit akuzohet Gëzim Retkoceri, ka reaguar sot në Gjykatën e Prishtinës.

Hajrizi reagoi kur i akuzuari Gëzim Retkoceri tha se dakordohet me deklaratën e avokates së tij, Kosovare Kelmendit.

“Mbështes avokaten time dhe kërkoj vetëm drejtësi”, tha i akuzuari Retkoceri.

Pas kësaj vëllai i të ndjerit Naim Hajrizi, Halim Hajrizi reagoi duke thënë se betohet se Retkoceri ia ka vrarë vëllain.“Krejt me u çu Gjykata, sot le t’a lëshon Gjykata, ky e ka mytë. Unë betona, kur të doni që ky e ka mytë”, tha Halim Hajrizi.

 

Gjyqtari Vesel Ismajli iu përgjigj duke thënë se ka 12 vjet që janë duke punuar për këtë çështje.

Kurse Halimi shtoi se ka 12 vite që kjo çështje nuk është zgjidhur.

“Jo se me pas kon që 12 vjet, nuk kish ardhë hiç me folë, qe 12 vjet me lujtë me ndjenjat tona. Nuk del qikjo unë marr vet dënim me vdekje, nëse del kjo e vërtetë sepse unë jam njeri shumë i vendosur”, shtoi Halim Hajrizi.

Gjyqtari Ismajli shtoi se vëllau i të ndjerit do të dëshmojë sërish, kurse Hajrizi i tha se janë lodhur nga gënjeshtrat.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin për vrasjen e Naim Hajrizit.

Në këtë rast i akuzuar ishte dhe i akuzuari Osman Spahiu, se në bashkëkryerje kishte kryer këtë vepër penale, por pas ricilësimit të aktakuzës ai ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Kujtojmë se gjykata në korrik të vitit 2015 kishte dënuar Retkocerin dhe Spahiun me nga 30 vjet burgim për vrasjen e tani të ndjerit Hajrizi.

Por Apeli për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale, e kishte kthyer çështjen në rigjykim dy herë për të akuzuarin Retkoceri.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.

Kurse i akuzuari Gëzim Retkoceri, në vazhdimësi ka mohuar se ka kryer këtë vrasje.

Dështon sërish seanca në rastin e njohur si ‘Çekiçi’