Naser Osmani, ish-deputet i LDK-së

Naser Osmani i LDK-së ankohet pse mediat po merren me fondin e 3%-shit

Pak ditë pasi është emëruar në kryesinë e partisë së Isa Mustafës, Naser Osmani ka vazhduar të përballet me aktakuzën për keqpërdorimin me  fondin e 3 %.

Fondi prej disa milionësh i krijuar para luftës ishte përdorur pasluftës për disa aktivitete të fondit UFORK ndërsa ish-deputeti  Osmani, Bujar Bukoshi dhe Atdhe Gashi po akuzohen për keqpërdorime me këtë fond.

Përpos kritikave të Naser Osmanit se çështja është duke u bërë e madhe në media për shkak të zgjedhjeve të tetorit në gjykatë ka pasur edhe diskutime për  provat e këtij rasti.

“Boll interesant me u bo lajm këto ditë” ka thënë Osmani

Një polic hetues ka bërë një analizë financiare e cila pretendon se ka keqpërdorime me fondin ndërsa mbrojtja pretendon se një ekspertizë e eksperit Riza Blakaj tregon të kundërtën.

A

vokatit Florent Latifaj, pretendons e polici Bujar Qorrolli në momentin e përpilimit të ekspertizës nuk ka qenë i pajisur me shkresat e nevojshme për përpilimin e ekspertizës si dhe ai nuk është ekspert gjyqësor por hetues në policinë e Kosovës.

Ndërsa avokati Arianit Koci për ekspertizën tha se është bërë me shumë gabime dhe pa dokumentacion të plotë duke mos përfshirë fare shpenzimet e vitit 2006 dhe 2007.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017. Ata po akuzohen për keqpërdorimin e Fondit 3 për qind, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.
Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 për qind.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3 për qind.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi dyshohet nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Historia e Gjykimit 

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish- Kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet me datë 8 tetor të këtij viti.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë.