I kishte marr të dëmtuarit 10 mijë euro duke i premtuar punësim në KEK ose PTK, paraburgoset për 30 ditë i dyshuari Xh.P.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.P.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari së bashku edhe me një person tjetër i cili gjendet në arrati, duke e mashtruar të dëmtuarin se kinse do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK ose PTK, ja kanë marr 10,000 euro.

Gjykata ka bërë të ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021 në vende të ndryshme, së bashku me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, e kanë mashtruar të dëmtuarin L.G.

Gjithashtu bëhet e ditur se të dyshuarit përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese, duke u paraqitur si persona me ndikim si truproje të ministrit si dhe si menaxher në KEK, i premtojnë të dëmtuarit L.G., se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e mashtrojnë duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, pasi i njëjti ua paguan shumën e tërësishme prej 10,000 eurove në emër të punësimit.

Sipas Gjykatës, paraburgimi është masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.