Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria ndan 10 mijë euro për Kalanë e Ulqinit e 200 mijë euro për Bujanocin

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 10 mijë euro për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit e cila u dëmtua nga vërshimet.

Kështu mori vendim të enjten qeveria në detyrë në takimin online, e për të cilin vendim njoftoi kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Po ashtu qeveria në detyrë mori vendim edhe për ndarjen e 200 mijë euro për Komunën e Bujanovcit për të sanuar dëmet nga vërshimet.

Postimi i plotë i Hotit:

Qeveria në detyrë vazhdon të kryej me përkushtim detyrat që burojnë nga mandati i saj. Në takimin online, Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimet midis tyre:

  • 10 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Mal të Zi.
  • Me 200 mijë euro do të ndihmohet Komuna e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet.
  • Qeveria ka ndarë 12 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për subvencione dhe transfere.
  • Qeveria ka autorizuar Klinikën e Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.