Shpallja e aktgjykimit ndaj Fikrije Lutfiut - 13.02.2020

Gjykata vendos për të akuzuarën që 'kishte shkuar në SIRI për ta bindur djalin të kthehej në Kosovë'

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore Fikrije Lutfiun, e akuzuar për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. E akuzuara Fikrije Lutfiu u dënua me 2 viteve burg me kusht. Dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

Fikrije Lutfiu, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrje në grupim terrorist në seancën fillestare më 10.20.2020.

Sipas Prokurorisë Speciale, më 12.9.2014 me dashje, me vetëdije të plotë, e pandehura është larguar nga Kosova dhe ka udhëtuar drejt Turqisë për të hyrë më pas në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste’ Shteti Islamik’ (ISIS), ku ishte bashkuar me bashkëshortin, i cili kishte udhëtuar nga Aeroporti i Shkupit.

“Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burgim me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke ia llogaritur edhe kohën e qëndrimit në arrest shtëpiak”, tha gjyqtarja Albina Shabani Rama.

Gjykata të akuzuarën Fikrije Lutfiu e urdhëroi që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu apo këshillues të tjerë dhe të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre në kohëzgjatje prej dy vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Poashtu, Gjykata urdhëroi Shërbimin Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me burg të kushtëzuar dhe detyrimit të shqiptuar në këtë dënim me kusht. Nëse e akuzuara nuk i përmbahet kontakteve të Shërbimit Sprovues ose nuk i përmbush detyrimet e caktuara nga psikologu ose këshilluesit tjerë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues, të njëjtës do t’i revokohet dënim me kusht dhe do t’i shqiptohet dënimi me burgim efektiv.