Foto: KALLXO.com

E akuzuara për terrorizëm: Në Siri shkova për ta bindur djalin të kthehej në Kosovë

Në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar, e akuzuara për pjesëmarrje në grup terrorist, Fikrije Lutfiu, deklaroi se nuk e ndjen veten fajtore lidhur me akuzat që i vihen në barrë.

Mes dhimbjes, ajo tha se vajtja në Siri iu imponua.

“Që në fillim, djali kur ka shkuar atje kemi tentuar disa herë përmes telefonit ta bindim të kthehet. Ai nuk ka dashtë të kthehet dhe pas një kohe menduam të shkojmë dhe të mundohemi ta kthejmë ne si prindër. Burri ka udhëtuar prej Maqedonisë ndërkaq unë prej Prishtinës në drejtim të Sirisë, e kjo me qëllim të kthimit të djalit. Kur kam arritur atje ka qenë i plagosur, e pas 6 muajve që kemi shkuar më kanë treguar që djali më është vra”, tha e akuzuara.

Pasi kishte marrë këtë lajm të kobshëm, e akuzuara tha se ka tentuar ta vërtetojë se a është vrarë djali vërtet apo vetëm i kanë thënë ashtu.

“Ky ishte shkaku pse qëndrova atje”, tha Fikrije Lutfiu.

Tutje, në pyetjen e gjyqtares se a ishte e regjistruar si anëtare e grupit terrorist, e akuzuara e pranoi që figuronte në këto regjistra, e kjo pasi që anëtarësimi ishte e vetmja metodë deri te sigurimi i një vendi për banim aty në kampe.

“Nuk mendoj që është krim nëse prindi shkon ta marrë fëmijën e tij nga lufta”, tha ndër të tjera e akuzuara.

Pas konsultimit me avokaten, e akuzuara e pranoi fajësinë.

Ajo kërkoi nga Gjykata të ketë parasysh faktin se pse ka shkuar atje, faktin se nuk ka kryer veprime në emër të organizatës dhe se është nënë vetushqyese pasi që bashkëshorti i ka mbetur atje dhe nuk ka informata se a është i gjallë apo i vdekur.

Sipas Prokurorisë Speciale, më 12.9.2014 me dashje, me vetëdije të plotë, e pandehura është larguar nga Kosova dhe ka udhëtuar drejt Turqisë për të hyrë më pas në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), ku ishte bashkuar me bashkëshortin i cili kishte udhëtuar nga Aeroporti i Shkupit.

Për këtë arsye, e akuzuara po akuzohet për veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, pasi që ishte e qartë se deklarata e saj është në përputhje me provat tjera, me ç’rast dhe është mbyllur kjo çështje gjyqësore.