Nuredin Ibishi duke dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafë në Gjykatën Speciale në Hagë - 12.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, 'Komandant Leka' rrëfen për BIA-n dhe Policinë Ushtarake

Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes, Nuredin Ibishi i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka rryer për formimin e BIA-s dhe veprimtarinë e Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit.

Salih Mustafa nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari Ibishi ka deklaruar se përveç tri brigadave, në zonën e Llapit është formuar edhe ‘Njësiti BIA’, si guerilë në pjesën urbane të qytetit që ka shërbyer për furnizim me ushqim e gjëra të tjera.

“Në Zonën Operative të Llapit, ka qenë një marrëveshje më e hershme, mos gabofsha në shtator 1997, kur guerilës BIA i është dhënë detyra të veproj në zonat urbane, por në aspektin të furnizimit, apo përgatitjes së UÇK -së në Zzonën e Llapit për çështje të shëndetësisë, logjistikës, pranimit të refugjatëve dhe akomodimit të tyre prej zonave të prekura nga lufta dhe çështje tjera rreth informacioneve për pozicionimin e forcave të armikut, etj.”, tha Ibishi.

Sipas tij, BIA ka pasur për qëllim ta ndihmojë UÇK-n.

“Edhe BIA edhe mbrojtja civile kanë qenë në kuadër të Zonës Operative të Llapit. Pra, BIA ka qenë strukturë civile e pa-armatosur dhe ka pas detyrën e mbështetjes së UÇK-së. Kanë pas detyrë t’i orientojnë, njëkohësisht për shërbime shëndetësore, logjistike, ka qenë më shumë si shërbim suportues për nevoja të brigadave, por edhe vet Zonës Operative të Llapit”, tha Ibishi.

Dëshmitari më tej deklaroi se komandant i BIA-së ka qenë Salih Mustafa. Sipas tij, Mustafa ka qenë në maj të vitit 1999 në Zllash, ndërkaq para kësaj tha se nuk ka shkuar.

Dëshmitari në vijim të gjykimit ka folur edhe për Policinë Ushtarake e cila ishte formuar në kuadër të brigadave.

“Çdo brigadë ka pas edhe Policinë Ushtarake, domethënë në nivel të togut të policisë ushtarake që ka pas detyrë të mbajtjes së rendit dhe rregullit ushtarak në brigadë dhe në zonë”, tha Ibishi.

Sipas tij, Policia Ushtarake ka pasur të drejtë të bëjë ndalime në rast të shkeljes së ndonjë autorizimi.

“Policia ushtarake ka pas kompetencë sikurse policia e rregullt, të mund të bëjë ndalimin e personit në kohën e caktuar, brenda kohës të paraparë në rregullore. S’ka qenë detyrimisht që unë të njoftohem permanent lidhur me zbatimin e rregullores disiplinore, nëse dikush prej ushtarëve ka bërë shkelje, ndoshta ka bërë në raportin e përgjithshëm, por s’ka qenë rrethana që menjëherë të lajmëroj komandantin e brigadës për një shkelje që mund të jetë minore”, deklaroi Ibishi.

Përpos, policisë Ibishi ka thënë se në rast të shkeljeve më të mëdha kanë vepruar komisionet disiplinore në kuadër të UÇK-së.

Derisa ka folur për komisionet, Ibishi ka rrëfyer se deri sa ka qenë në fazën e trajnimit me rekrutët e ri, një person civil kishte nxjerrë armën dhe e ka drejtuar në pozicionet e UÇK-së në Potok me ç’rast ishte arrestuar.

“Ka qenë fati i tij që kanë qenë këta të përmbajtur dhe nuk kanë vepruar, e kanë arrestuar, e kemi mbajt disa ditë dhe pastaj është lëshuar”, deklaroi dëshmitari.

Tutje ai tha se për lirimin e tij kanë vendosur niveli më i lartë, niveli i shtabit, komanda e zonës, ku personi është liruar.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK