Gjykata Speciale jep detaje lidhur me proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë

Gjykata Speciale mbajti sot konferencën javore për media, ku u diskutua rreth proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nisi javën e kaluar, me seancat hyrëse të hënën, martën dhe të mërkurën.

Katër të akuzuarit janë ngarkuar me përgjegjësi penale individuale për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, si dhe për katër akuza për krime lufte.

Të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Më 3, 4 dhe 5 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet e Mbrojtjes së të akuzuarve dhanë deklaratat e tyre hyrëse, ku Thaçi dhe Selimi dhanë deklaratat pa betim.

Ndërkaq, paraqitja e provave nga Prokuroria dhe dëgjimi i dëshmitarit të parë janë planifikuar për t’u zhvilluar nga 11 prilli 2023.

Seancat e gjyqit do të mbahen në pjesën tjetër të këtij viti dhe mund të ndiqen në faqet e internetit në shqipe, serbisht dhe anglisht, si dhe nga publiku në galerinë e gjykatës.

207 mijë euro për 8 viktimat në çështjen e Salih Mustafës

Trupi Gjykues të enjten vendosi që Salih Mustafa të paguajë 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave të krimeve të luftës për të cilat është shpallur fajtor më 16 dhjetor 2022.

Vendimi i Gjykatës përmban edhe urdhërime specifike për secilën prej viktimave, duke caktuar shuma të ndryshme për t’u paguar në bazë të dëmit individual të pësuar, nga 2000 euro deri në 80,000 euro.

Këto shuma burojnë nga kërkesa e mbrojtëses së viktimave dhe pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit që pësuan viktimat.

Gjykata theksoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht Mustafa, por ai nuk ka mjete financiare për ta përmbushur këtë urdhër.

Si rezultat, Gjykata bëri thirrje për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e dëmshpërblimit të viktimave, sidomos Kosovën.

Gjykata Speciale me seli në Hagë ka rekomanduar krijimin e një fondi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet.

Fondi duhet të mbështetet financiarisht nga Kosova, si dhe nga shtete dhe donatorë të tjerë që dëshirojnë t’u ofrojnë mbështetje viktimave.

Gjykata paraprakisht deklaroi se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, u referohet ekskluzivisht viktimave prej forcave të armikut, duke krijuar diskriminim midis viktimave të luftës.

Andaj u tha se kjo krijoi nevojën për një mekanizëm të ri për viktimat e krimeve të përfshira në këtë çështje, të cilët mund të mbështeten financiarisht.