Rasti 'Brezovica' - Ilustrim

Gjykata e Pejës urdhëron lirimin e vilave në Brezovicë

Gjykata e Pejës ka urdhëruar lirimin e 75 vilave të sekuestruara në rastin e njohur “Brezovica”.

Sipas vendimit të Gjykatës të siguruar nga KALLXO.com, prokurori i rastit nuk e ka parashtruar kërkesën e re për masë të sigurisë për vilat e sekuestruara brenda afatit të paraparë me ligj.

Gjykata e Pejës në nëntor të vitit të kaluar kishte urdhëruar për sekuestrimin e përkohshëm të 75 vilave në Brezovicë, në Zonën e dytë të Parkut Kombëtar ‘’Sharri’’.

Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt të datës 14 tetor të këtij viti, kur edhe ishte kërkuar sekuestrimi i tyre.

KALLXO.com e kishte siguruar listën e plotë të pronave për sekuestrimin e të cilave kishte vendosur Gjykata e Pejës.

Në të janë të renditura vilat e politikanëve, gjyqtarëve, biznesmenëve dhe qytetarëve të tjerë.

Gjykata themelore në Pejë, ditën e enjte e ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë së Ferizajt për caktim të masës së re të sigurisë për pronat e sekuestruara në rastin “Brezovica”.

Sipas arsyetimit të urdhrit të gjykatës, thuhet se ‘’Ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e sekuestrimit të përkohshëm të objekteve të cekura më lartë, ka paraparë ‘brenda gjashtëdhjetë ditëve nga konfiskimi i ndërtesës, pasurisë së paluajtshme, pasurisë së luajtshme, prokurori i shtetit kërkon masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë’.

“Gjykata Themelore në Pejë gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar, është e pasafatshme” – thuhet tutje në arsyetim të vendimit të gjykatës.

Vendimi i Gjykatës së Pejës për vilat në Brezovicë, Foto: KALLXO.com

Kundër këtij vendimi të gjykatës, palët kanë të drejtë ankese.

Kryetar komune, drejtorë, inspektorë nga niveli lokal dhe sekretarë, inspektorë e kryeinspektor nga niveli qendror, janë pjesë e aktakuzës voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt në rastin e njohur “Brezovica”.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përshkruhet të ketë përfunduar në “xhepat” e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, i cili kontrollonte secilin aplikim për leje ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, zonë e Brezovicës.

Në këtë çështje bashkë me ish-kryetarin e Shtërpcës Bratisllav Nikoliq, për veprat penale: marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit akuzohen edhe pesë persona të tjerë: Dimitrije Raiçiçeviq, Rijad Hasani, Hajrush Ajvazi, Labinot Vitija dhe Hysein Ajdini.

Të gjitha raportimet nga Kallxo.com, lidhur me rastin Brezovica mund t’i gjeni në këtë LINK.