Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata e dënon me burgim me kusht të akuzuarin për shpërndarje të videove pornografike me fëmijë

Gjykata e Prishtinës sot e shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarit A.S., i cili akuzohet nga Prokuroria se shpërndau në internet video të fëmijëve me përmbajtje pornografike.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari A.S që nga muaji tetor i vitit 2019, përmes një aplikacioni kompjuterik , duke shfrytëzuar internetin e një hoteli në Prishtinë, kishte shpërndarë 19 video me përmbajtje pornografike me fëmijë dhe disa video të tjera, të cilat iu kishin zënë në flagrancë nga Policia duke i shpërndarë nga laptopi i tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari i kishte vënë në dispozicion video pornografike me fëmijë, ashtu që secili që e kishte të instaluar këtë aplikacion ka mundur të këtë qasje në video dhe materialin tjetër pornografik.

Lidhur me këto akuza, Gjykata e Prishtinës të akuzuarin e shpalli fajtor dhe të njëjtit i shqiptoi dënim me kusht në kohëzgjatje prej një viti, dënim ky i cili nuk do t’i ekzekutohet në rast se brenda periudhës kohore prej dy viteve i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Në dënimin e shqiptuar të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar e deri në shpalljen e aktgjykimit.