Gjakovë - Prokurori heq dorë nga akuza e tentim vrasjes

 

Në rastin e vëllezërve Jeton e Veton Sutaj, të cilët dyshohen se kishin angazhuar dy shtetas të Shqipërisë për ta qëlluar me armë Naser Qevanin, ishte planifikuar të jepej fjala përfundimtare.

Mirëpo, prokurori Ali Uka në këtë rast kishte vlerësuar se nuk është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i rastit Ali Uka, deklaroi se heq dorë nga ndjekja penale dhe aktakuza.

Pas kësaj trupi gjykues me kryetar Shaqir Zika, dhe anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, refuzuan akuzën pasi që prokurori hoqi dorë për ndjekjen e tyre penalisht.

Aktakuza shpjegon se dy të pandehurit në korrik të 2017-ës kishin angazhuar dy shtetas të Shqipërisë për të kryer aktin i cili nga prokuroria cilësohet si vrasje në tentativë.

Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Damjan të Gjakovës derisa viktima ishte në parkingun e restoranit “Gurra”, dy shtetasit e Shqipërisë kishin shtënë katër herë në drejtim të tij.

“I dëmtuari kishte arritur të dalë prapa restorantit e më pas në një mal aty afër ku kishte pritur ardhjen e policisë”, shkruhet në aktakuzë.

Gjykimi për rastin ishte planifikuar të mbahej sot, por në gjykatore kanë munguar dy të akuzuarit Sutaj.