Dosja ndaj noterit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Lirim Mustafa dhe noteri Sinan Visoka, janë ulur përsëri në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për mashtrim.

Për dallim prej dy të akuzuarve, prezent në gjykatore nuk ishte mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, Arsim Bilalli.

Bilalli paraprakisht kishte njoftuar gjykatën se sot ndodhet në një gjykim tjetër, në Gjykatën e Ferizajit.

Në mungesë të kushteve të parapara me kodin e procedurës penale seanca e paraparë të mbahet sot dështoi, e njëjta u caktua të mbahet më 17 korrik 2023.

Noteri Sinan Visoka akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij, duke e përpiluar një aktvendim përmes të cilit i ka dhënë të drejtë në trashëgimi Lirim Mustafës, pa qenë prezent trashëgimtarët e tjerë ligjor.

Sipas këtij vendimi të noterit, Lirim Mustafës i është njohur e drejta në trashëgimi duke ua pamundësuar këtë të drejtë përfaqësuesve të tjerë ligjor.

Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit, ishin marrë vesh paraprakisht në mes vete.

Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të rreme të fakteve dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë.

Në aktakuzë thuhet se noteri Visoka më pas e kishte përpiluar aktvendimin për ndarje të trashëgimisë.

Përmes këtij vendimi Visoka e kishte shpallur trashëgimtar të pronës, me sipërfaqe prej 993 metra katrorë, të pandehurin Lirim Mustafa dhe përmes këtij vendimi e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Podujevës dhe prona kishte kaluar në emër të të pandehurit Lirim Mustafa.