Gjykimi ndaj zyrtarëve të AKP-së - 23.09.2019

Dosja e Prokurorisë - Zyrtarët e AKP-së 'blinin naftë për veturat zyrtare edhe në ditë pushimi'

Abdurrahim Abdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi, Istref Dragusha  zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), si dhe dy ish-punëtorë të kompanisë “Fer Petrol” Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka, kanë dalë sot para Gjykatës në Prishtinë nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë seancës së sotme u dëgjua eksperti financiar Mentor Prekazi.

Eksperti financiar deklaroi se dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës nga Abdurrahim Abdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi, Istref Dragusha në tërësi është 10,774.68 euro.

Pyetur se në çka është bazuar për këto të gjetura, eksperti financiar Mentor Prekazi tha se në ekspertizë janë të theksuara qartë provat bazë mbi të cilat janë të mbështetura gjetjet e tij.

Nga eksperti financiar u kërkua që të plotësohet ekspertiza për seancën e radhës, e cila u caktua të mbahet me datë 29 tetor 2019.

Aktakuza u vë në barrë Abdurrahim Abdylit, Amir Demollit, Arsim Lecit, Ejup Gashit dhe Istref Dragushës se janë furnizuar me fatura fiktive nga të pandehurit Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka dhe ato fatura i kanë prezantuar komisionit, anëtarë të të cilit në mënyrë rotative kanë qenë vetë të pandehurit.

Në bazë të aktakuzës ata kanë prezantuar fatura se gjoja janë furnizuar me derivate të naftës për nevojat e automjeteve zyrtare të AKP-së edhe ditëve të vikendeve, festave, kur AKP-ja nuk ka punuar fare.

Ndërsa Petrit Gjoka dhe Nexhat Gjoka akuzohen se i kanë lëshuar fatura fiktive të akuzuarve të tjerë duke keqpërdorur kështu pozitën e tyre zyrtare.

Kjo çështje është kthyer ne rigjykim. Për kallxo.com konfirmoi avokati Visar Vehapi se arsyeja pse është kthyer ne rigjykim janë shkeljet procedurale.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë

Gjykimi për Faturat e Rreme të Derivateve për Makinat e AKP-së

.