Gjykimi i vozitësve të makinave të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Faturat e Rreme të Derivateve për Makinat e AKP-së

Në gjykimin ku pesë vozitës të makinave të AKP-së dhe pesë ish-punëtorë të kompanisë “Fer Petrol” po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prokurori Ilaz Beqiri ka tërhequr aktakuzën për 3 prej tyre.

Prokurori Beqiri është tërhequr nga aktakuza për Nebih Murtezin, Mexhid Morinën dhe Skender Gajtanin, me arsyetimin se gjatë shqyrtimit gjyqësor ka ndryshuar gjendja faktike.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk është vërtetuar se të pandehurit Nebih Murtezi, Mexhid Morina dhe Skender Gajtani, kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar, andaj tërhiqem nga ndjekja penale kundër të lartcekurve”, tha ai.

Këta të fundit akuzoheshin për veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Për të njëjtën vepër penale vazhdojnë të akuzohen Abdurrahim Abdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi, Istref Dragusha, Petrit e Nexhat Gjoka dhe Amir Demolli.

Prokurori Beqiri bëri ripërshkrimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarve dhe cilësimin juridik të veprimeve inkriminuese të të akuzuarve të mbetur.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Abdurrahim Abdyli është furnizuar me fatura të rrejshme nga të akuzuarit Petrit e Nexhat Gjoka, kinse ka furnizuar me derivate të naftës automjetet e AKP-së, nga kontraktori Kompania “Hib Petrol” dhe kontraktori i saj “Fer Petrol”.

Më pas, këto fatura i ka dorëzuar në komision për verifikimin e tyre.

Ndërsa, të akuzuarit Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, si anëtar të këtij komisioni, sipas aktakuzës, nuk kanë raportuar për parregullsitë që kanë hasur gjatë verifikimit të këtyre faturave.

Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, avokati Asdren Hoxha, tha se prokuroria nuk ka arritur që ta vërtetojë tezën e akuzës lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Prokuroria nuk ka arritë me sqaru se kush ka përfituar në këtë shumë prej 10.000 eurove, a ka përfituar kompania furnizuese, Abdurrahim Avdyli apo individët e tjerë për të cilët prokuroria mbeti pranë aktakuzës. Konsideroj me kësi teori të vlerësimit paushall të çështjes nuk mund të pretendohet në një aktgjykim dënues, sepse edhe ju, por edhe instancat më të larta gjyqësore kërkojnë specifikim të saktë të veprimeve, me theks të veçantë tek çështja e përfitimit dhe dëmit”, tha Hoxha.

Më tutje, avokati Kushtrim Bytyqi konsideroi se nuk është vërtetuar përgjegjësia apo obligimi i të mbrojturit të tij, Amir Demolli, për mbikëqyrjen e sasisë së shpenzuar dhe personave të cilët shpenzojnë derivatet.

Bytyqi theksoi se “Amir Demolli nuk ka punuar në pozitat për të cilat akuzohet se ka ndihmuar në keqpërdorimin e detyrës zyrtare”.

Që të dy avokatët kërkuan nga trupi gjykues që për të mbrojturit e tyre të nxirret një aktgjykim lirues.

Seanca e rradhës do të vazhdojë me dhënien e fjalës përfundimtare të mbojtjes dhe të akuzuarve të tjerë.

Abdurrahim Abdyli ngarkohet nga prokuroria se në vazhdimësi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, Amir Demolli, Ejup Gashi, Arsim Leci dhe Istref Dragusha, akuzohen se në bashkëkryerje e vazhdimësi kanë dhënë ndihmë për kryerjen e veprës penale.

Po ashtu, Petrit dhe Nexhat Gjoka, akuzohen se në vazhdimësi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale dhënia e ndihmës për kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.