Gjykimi për kontrabandim me karburante (23.09.2022), Foto:KALLXO.com

Dogana kërkon afër 2 milionë euro dëmshpërblim nga i akuzuari për kontrabandim të karburanteve

Gjykimi ku Prokuroria Speciale akuzon Millan Bozhoviqin për kontrabandim të karburanteve është drejt fundit.

Përpos tij, në këtë rast të akuzuar janë edhe Zhelko Milloshinaviq, i cili është na arrati dhe Dragomir Bozhoviq, i cili ka vdekur.

Prokurorja speciale Habibe Salihi, në fjalën e saj përfundimtare kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor sepse është provuar fajësia.

“Konsideroj se provat materiale që u administruan vërtetuan dyshimin e bazuar mirë se janë përmbushur elementet e veprës penale andaj duke marrë parasysh dëmin e shkaktuar kërkoj nga gjykata që të pandehurin ta dënoni dhe shpallni fajtor” – tha prokurorja Habibe Salihi.

Këtë e kundërshtoi avokati mbrojtës i të akuzuarit, i cili në fjalën e tij përfundimtare shprehu se nuk konsideron se është vërtetuar fajësia e të mbrojturit të tij Millan Bozhoviq.

“Në rastin e Millanit nuk u provua fajësia mbi veprat që i vihen barrë në aktakuzë, e gjithë akuza bazohet në një rrëfim të një eksperti financiar e ky rrëfim nuk mbështetet në asnjë provë, e është plot me gabime matematikore e të tjera” – tha avokati Kadri Osaj.

Përkundër kësaj, i pranishëm në seancë ishte edhe përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Bekim Behrani, i  cili kërkoi nga gjykata që të obligojë të akuzuarin të paguajë dëmshpërblim.

“E mbështesim prokurorinë në fjalën përfundimtare dhe kërkojmë 1 milion 924 mijë euro kompensim dëmi, për dëmin e shkaktuar ndaj Doganës” – tha Behrani.

Kurse vet i akuzuari Bozhoviq pretendon se ekzistojnë provat e transaksioneve bankare se ku dhe me kë ka bërë biznes.

“Biznesi im për të cilin unë jam pronar kam blerë mall në Kosovë dhe aty e kam shitur, ekzistojnë provat në bankën Reiffeisen ku e kam blerë mallin dhe ku e kam shitur”- tha Milan Bozhoviq.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit nga muaji maj i vitit 2009 e deri në korrik të 2011-tës dyshohet se kanë kontrabanduar karburante nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kontrabandimi sipas prokurorisë është kryer  sepse në vitin 2009 zyrtarët e EULEX-it në pikat e lartpërmendura doganore vetëm kanë regjistruar mallin e hyrë në Serbia ndërsa zhdoganimi është dashur të kryhet në Mitrovicën e Jugut.

Millan Bozhoviq  akuzohet se si pronar i kompanisë P.P ‘’MIN PROM’’ i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, e po ashtu edhe si bashkëpronar i të njëjtës kompani të regjistruar në Serbi bashkë me Dragomir Bozhoviq, i cili ishte pronar i saj.

Aktakuza thekson se derivatet e futura ilegalisht janë dërguar në pompat e benzinës që gjendeshin në veri duke u shitur më lirë se çmimi i tregut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit nga Serbia në Kosovë kanë futur ilegalisht mallra në vlerë prej 3 milionë e 35 mijë e 911 euro e 36 centë, e më këtë Doganës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm duke iu shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1 milion e 243 mijë e 248 euro e 59 centë.

Këtu përfshihet tatimi i TVSH-së në shumë prej 684 mije e 681 euro e 60 centë, tatimit të paragjykuar 3 për qind në vlerën e shitur në shumë prej 92 mijë e 700 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën rreth 31 mijë euro.