Dëshmitari në rastin ‘Toka’: Më thanë se tokën time jua ka shitur Azem Syla

 

Në seancën kundër Azem Sylës dhe 21 personave të tjerë të akuzuar në rastin e njohur si “Toka” janë dëgjuar 4 dëshmitarë.

Dëshmitari Vladimir Nikoviq, si një nga pronarët e tokave që bëhet fjalë në këtë rast dëshmi sot para gjykatës, ndër të tjera deklaroi se një person me emrin Habib Caka që sot shfrytëzon atë tokë, i kishte prezantuar një kontratë shitblerjeje dhe i kishte thënë se atë tokë e kishte blerë nga Azem Syla në vlerë rreth 370 mijë euro.

“Ai (Habib Caka) na ka prezantu një kontratë të vërtetuar në gjykatë që e ka ble tokën nga dikush me emrin Azem Syla dhe ka thënë që e ka ble 370 mijë euro diku”- tha dëshmitari Vladimir Nikoviq.

Por kjo deklaratë u konsiderua si e pavërtetë nga Besnik Berisha, avokati i cili mbron të akuzuarin e parë në këtë procedurë, ish-deputetin e PDK-së, Azem Sylën.

Avokati Berisha, e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë më herët, që sipas avokatit ishin deklarata kontradiktore.

“Dëshmitar a po vëreni ndryshim prej asaj që e keni deklaru para 6 viteve në prokurori prej asaj që po e deklaroni sot”- e pyet avokati Berisha dëshmitarin Nikoviq.

Dëshmitari u përgjigj se ato fjalë ja ka thënë personi, Habib Caka kur e ka parë në tokën e tij dhe të njëjtën gjë e ka thënë edhe në prokurori edhe tani në seancë.

Gjatë tërë deklarimit të tij dëshmitari insistoi se nuk e njeh dhe nuk e di se kush është Azem Syla, pasi që edhe pyetet nga avokati se mos ndoshta po e përmend emrin e tij në këtë  gjykim për përfitime personale.

Në anën tjetër, gjatë kësaj seance u dëgjuan edhe 3 dëshmitarë të tjerë të cilët qëndruan mbrapa deklarimeve të dhëna më herët përballë institucioneve përkatëse.

Po ashtu, duke iu referuar kërkesës së avokatit Tahir Rrecaj për të mbrojturin e tij, të akuzuarin Fahredin Gashi që ndaj tij të veçohet procedura, gjykata vendosi në favor të tij.

Seancën e kaluar trupi gjykues kishte urdhëruar ekspertizë mjekoligjore që të tregohet se a është i aftë i akuzuari Gashi që të ndjekë procedurën, e sot në seancë u dëgjua eksperti i cili pohoi se i akuzuari nuk është në gjendje të përcjellë seancën.

Gjendja shëndetësore e njërit nga të akuzuarit në rastin ‘Toka’ ndërpreu seancën

Kështu trupi gjykues mori vendim që të veçojë procedurën ndaj Fahredin Gashit.

Vendim tjetër i marrë në seancën e sotme ishte edhe heqja e masës së arrestit shtëpiak ndaj njërit nga të akuzuarit, Lubisha Bujoviq dhe zëvendësimit me paraqitjen në stacion policor për 2 herë në javë.

Ndërsa kërkesën e mbrojtjes së Vitosav Novakoviq, për heqjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit, trupi gjykues e refuzoi me vendim se asnjë nga arsyet e shqiptimit të asaj mase nuk është shuar.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë  meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK